Çmendet moti, në Korçë bora arrin në 15 cm
Këto ditë pranvere jemi duke provuar temperatura të ulëta, ndërsa banorët e zonave malore kanë parë sërish reshjet e borës. Në verilindje dhe juglindje të vendit edhe gjatë paradites së sotme kanë vazhduar reshjet e dëborës.
Termometri vlerën më të ulët e ka regjistruar me 0 gradë celcius në qytetin e Kukësit. Përveç Kukësit, reshje ka pasur në disa fshatra të Bulqizës, në zonat e thella malore të Malësisë së Madhe dhe Shkodrës, ku në Qafë të Thorës, po në zonën e Thethit, ka prani më të madhe bore, madje raportohet për segmente në këtë aks që janë vështirë të kalohen.
Reshjet e borës janë rikthyer në rajonin juglindor të vendit. Në dy fshatrat malore, Dardhë dhe Voskopojë, trashësia e borës ka arritur deri në disa centimetra.
Në Voskopojë, trashësia ka arritur në 5 cm, ndërsa janë duke vazhduar reshjet. Në Dardhë, bora ka arritur 15 cm. Po punohet për pastrimin e rrugës së Dardhës.
Në Elbasan, në lartësinë mbi 1 mijë metra, në fshatrat e Librazhdit ka pasur reshje të pakta dëbore. Por, dëborë raportohet edhe në zonat e Gjirokastrës.

