CNN: Përpjekja e Trump për t’i dhënë fund shtetësisë me të drejtë lindjeje, stopohet në Gjykatën Supreme

Kur Presidenti Donald Trump përdori kimikatin e tij të zi “Sharpie” në ditën e parë të mandatit për të nënshkruar një urdhër ekzekutiv në janar 2025 – i cili kufizonte të drejtën e shtetësisë sipas lindjes – ai deklaroi: “Ky është një urdhër i rëndësishëm”.
Ishte një hap i guximshëm. Megjithatë, në mënyrën më thelbësore, ai dështoi.
Gjykata Supreme, me një votim 6 me 3, hodhi poshtë përpjekjen e tij për t’i dhënë fund garancisë se të gjithë fëmijët e lindur në tokën amerikane janë qytetarë të SHBA-së, pavarësisht nga statusi i imigracionit të prindërve të tyre.
Shumica e gjyqtarëve riafirmoi një kuptim shekullor të shtetësisë automatike, të mbrojtur nga Amendamenti i 14-të, i cili përcakton: “Të gjithë personat e lindur ose të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara dhe që i nënshtrohen juridiksionit të tyre, janë qytetarë të Shteteve të Bashkuara dhe të shtetit ku banojnë”.
Por përpjekja e përgjithshme e Trumpit – sado radikale që konsiderohej – bëri përparim të habitshëm si në gjykatë, ashtu edhe në sferën publike.
Administrata fitoi një mbështetje të gjerë, duke përfshirë 25 shtete dhe një numër të konsiderueshëm anëtarësh të Kongresit, për një ide që prej kohësh ishte konsideruar si periferike. Më e rëndësishmja për të ardhmen, ndërsa tre gjyqtarë shprehën kundërshtim të plotë, një i katërt, Brett Kavanaugh, iu bashkua shumicës për të bllokuar urdhrin ekzekutiv, por shfaqi mendime të ngjashme me pakicën sa i përket Amendamentit të 14-të.
Kavanaugh e bazoi vendimin e tij në shkeljen e statuteve të imigracionit që datojnë nga vitet 1940 dhe 1952, duke sugjeruar se Trump mund ta arrijë qëllimin e tij përmes legjislacionit të ri federal:
“Kongresi mundet – në përputhje ma Amendamentin e Katërmbëdhjetë – të ndryshojë ligjet federale përkatëse ose të miratojë legjislacion të ri që përcakton përjashtime nga shtetësia sipas të drejtës së lindjes për fëmijët e lindur nga shtetas të huaj që gjenden në mënyrë të paligjshme ose të përkohshme në vend.”
Ky koncept u dha zemër Trumpit dhe aleatëve të tij republikanë. Presidenti shkroi në një postim në Truth Social menjëherë pas shpalljes së vendimit në çështjen Trump kundër Barbarës: “Gjykata Supreme mbështeti të drejtën e shtetësisë sipas lindjes, gjë që është shumë keq për vendin tonë, por ne mund ta kompensojmë lehtësisht në Kongres përmes Legjislacionit, me mbështetjen e Presidentit. Nuk është i nevojshëm asnjë Amendament Kushtetues i gjatë dhe i vështirë për t’u zbatuar!”
Trump gabon kur pretendon se një legjislacion i thjeshtë mund të anashkalojë garancinë kushtetuese të SHBA-së – të paktën me përbërjen aktuale të gjykatës. Një shumicë prej pesë gjyqtarësh, e udhëhequr nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts, deklaroi se Kushtetuta e mbron të drejtën e shtetësisë në lindje. Ai u bashkua me kolegen e tij konservatore Amy Coney Barrett dhe gjyqtarët liberalë Sonia Sotomayor, Elena Kagan dhe Ketanji Brown Jackson.
Në mendimin e tij të prerë dhe bindës, Roberts sugjeroi se nuk kishte kthim prapa, duke e bazuar këtë të drejtë thellë në të drejtën zakonore angleze, në origjinën e Amerikës dhe në historinë e epokës së Rindërtimit pas Luftës Civile.
“Shtetësia, atëherë dhe tani, ishte e drejta për të pasur të drejta – për të marrë pjesë lirisht në komunitetin tonë politik. Hartuesit e Amendamentit të Katërmbëdhjetë ia zgjatën këtë premtim ‘çdo personi të lindur në këtë vend’. Ne e mbajmë këtë premtim sot.” — John Roberts
Nga ana tjetër, Zëvendëspresidenti JD Vance foli për një “pikë kthehe pozitive” në Fox News. Vota e Kavanaugh, sipas tij, do të thotë se “koncepti i shtetësisë me të drejtë lindjeje, i cili është një absurditet për Amendamentin e 14-të, tashmë po varet në fije të holle”.
Vendimet e shumicës dhe pakicës, që mbulojnë plot 189 faqe, garantojnë se debati rreth urdhrit ekzekutiv të Trumpit do të vazhdojë gjatë.
Gjyqtari Samuel Alito, në mendimin e tij kundërshtues, u fokusua te problemi i “turistëve të lindjes” – grave që vijnë në SHBA vetëm për të lindur dhe largohen menjëherë. Alito pohoi se ky vendim do të ruajë “një nxitje të fuqishme për të hyrë ose qëndruar në këtë vend ilegalisht”.
Në kampin tjetër, çështja mobilizoi mbrojtësit e shtetësisë automatike. Më shumë se dy të tretat e rreth 60 dokumenteve të dorëzuara si “miq të gjykatës” (amicus curiae) u rreshtuan në anën e grupeve për të drejtat e emigrantëve.
Trump e kishte bërë këtë urdhër shtyllën kryesore të axhendës së tij kundër imigracionit. Ndonëse Gjykata e udhëhequr nga Roberts ka mbështetur nisma të tjera të tij – si vendimin për t’i dhënë fund “statusit të mbrojtur përkohësisht” (TPS) për migrantët nga vendet e shkatërruara nga konflikti ose fatkeqësitë natyrore – kjo përpjekje e veçantë dukej tejet personale për të. Presidenti madje ndërmori hapin e rrallë për të marrë pjesë personalisht në seancat e dëgjimit më 1 prill.
Avokatët e emigrantëve, si Cecillia Wang nga ACLU, argumentuan se urdhri do të hidhte në erë parime të tëra juridike:
“Mijëra foshnje amerikane do të humbisnin menjëherë shtetësinë e tyre dhe shtetësia e miliona amerikanëve të së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes do të vihej në pikëpyetje.”
Kur Roberts njoftoi vendimin, ai foli me një ton të qetë dhe të bazuar në fakte, duke u shprehur: “Ne nuk po ndërmarrim asnjë hap të ri këtu”. Opinioni i tij i shkruar ishte i ngjeshur dhe numëronte vetëm 26 faqe.
Në të kundërt, gjyqtari Clarence Thomas, në mendimin e tij mospajtues prej 91 faqesh, lëshoi një kritikë të ashpër:
“Gjykata i shton rëndësi historisë së trishtueshme të Amendamentit të Katërmbëdhjetë, i cili u hartua për të siguruar të drejta të barabarta për zezakët e liruar, por në vend të kësaj po keqpërdoret për projekte politike që Kongresi i Rindërtimit nuk i mbështeti.”
Thomas e përfundoi mendimin e tij duke cituar gjyqtarin John Marshall Harlan nga çështja historike Plessy kundër Ferguson (1896), duke paralajmëruar me një fjali që Trump me siguri do ta përdorë në fushatat e tij: “Nuk jam i sigurt se opinioni i sotëm do t’i rezistojë kohës.”
CNN/ KJ/AV
KOHA JONË SONDAZH

