Dëbohen azilkërkuesit, nisma për të frenuar fenomenin
Shqiparët u renditën të parët në Francë, si shtetasit që kërkuan më shumë azil përgjatë vitit 2017. Për të frenuar numrin e lartë të qytetarëve shqiptarë që kërkojnë azil në vendet e BE-së, qeveria thotë se po harton një dokument të ri politikash për migracionin.
30 shtetas u riatdhesuan së fundmi nga Franca dhe Belgjika ndonëse prej gushtit policia ka shtuar masat në kufi. Por në materialin e shpërndarë për mediat nga Ministria e Brendshme nuk jepen detaje se çfarë do t’i ofrohet konkretisht qytetarëve.
“Ne po punojmë bashkë me institucionet e tjera, për të hartuar një dokument politikash për migracionin, duke e parë këtë fenomen në një këndvështrim më gjithëpërfshirës, por edhe për të mundësuar dhe ofruar zgjidhje për të gjithë ata qytetarë që i janë drejtuar kësaj rruge, si të vetmen rrugë zgjidhje për jetesën e tyre”, u shpreh Rovena Voda, zvministre e Brendshme.
Pak ditë më parë autoritetet franceze benë me dije së shqiptarët u renditën të parët për numrin e kërkesave për azil në këtë shtet. Rreth 7600 shqiptarë kërkuan azil në Francë gjatë vitit që lamë pas.

