Ekstradohet nga Athina shkodrani me burgim të përjetshëm
Interpol Tirana ka bërë të mundur ekstradimin nga Greqia e një shtetasi shqiptar i akuzuar për vrasjen e dy personave dhe i dënuar me burgim të përjetshëm.
Ekstradimi i shtetasit Perikli Marku, 53 vjeç, lindur në Shkodër, u bë nga InterpolTirana për një ngjarje të ndodhur në vitin 2000.
53-vjeçari ka vrarë me armë zjarri (automatik) shtetasit B.A dhe B.Z, më datë 06 tetor 2000, rreth orës 15:00 në vendin e quajtur Lagjja e Spitalit, në Lezhë.
“Shtetasi Perikli Marku është dënuar me burgim të përjetshëm, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me vendimin penal nr.39 datë 20.05.2002 për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje”, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal Shqiptar, dhe Gjykata e Lartë e ka dënuar me 16 vjet dhe 8 muaj në burg, për kryerjen e veprave penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 79 dhe 278 të Kodit Penal Shqiptar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij.
Pas ekstradimit, 53-vjeçari Marku iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.


