FOTO/ Rama dekoron Tedi Papavramin: Kokëfortë dhe i paepur! Violinisti: Kryeministri më impresiononte

Në një ceremoni të veçantë, në Parkun “Eden”, në Kryeministri, u dekorua me “Yllin e Oficerit të Urdhrit Suprem të Shqiponjës”, – në emër të Presidentit të Republikës,- muzikanti dhe instrumentisti virtuoz Tedi Papavrami. Në prani të miqve, familjarëve dhe admiruesve të artit të tij ndër vite,  Rama i vendosi Tedi Papavramit dekoratën e lartë me motivacionin: “Në vlerësim të meritave të veçanta, të shquara dhe të qëndrueshme në fushën e artit dhe të kontributeve, në rrezatimin ndërkombëtar të kulturës, letrave dhe emrit shqiptar, si një nga instrumentistët më të talentuar dhe profesionalistë më të përsosur të brezit të tij, performanca artistike e të cilit ka shënjuar sallat më prestigjoze dhe publikun artëdashës në Shqipëri dhe kudo në botë, duke merituar admirimin respektin dhe mirënjohjen e të gjithëve.” Gjatë fjalës së mbajtur, Rama e veçoi Papavramin me fjalët ”kokëfortë dhe i paepur”. Për Papavramin, kreu i qeverisë ishte një figurë mbrojtëse në adoleshencë kundër rrugaçëve. ”Ti vetë Edi je pjesë e kujtimeve të hershme, ku unë të mbaja mend si një adoleshent më të rritur që më impresiononte dhe më dukej gjithmonë një figurë mbrojtëse për mua kundër rrugaçëve. Historia ime në këtë vend ka qenë sipas epokave shumë kontradiktore. Kam njohur dashamirësinë dhe admirimin e publikut, por edhe dhunën e refuzimit”, tha mes të tjerash Papavrami.

Fjala e plotë e Ramës

Kryeministri Edi Rama: I dashur Tedi, Të dashur miq të Tedit! Është kënaqësi e posaçme që të jem dhe unë pjesë e kësaj kurore dashamirësie dhe miqësie rreth Tedit në një ditë jashtë të zakonshmes dhe duhet thënë se në përpjesëtim të drejtë me modestinë e tij të mrekullueshme dhe përtej talentit të tij të jashtëzakonshëm, Tedi është edhe me fat dhe po shpjegohem duke e nisur nga fundi.

Swiss Digital Desktop Reklama

Jam veçanërisht i lumtur që ky dekorim me Urdhrin më të lartë të Republikës edhe pse është dhënë qysh në dhjetorin e shkuar, ndodh të materializohet sot më 11 maj dhe kjo ceremoni bashkohet kështu si me një rastësi vargut të ngjarjeve kulturore që kremtojnë javën e Europës. Një javë, e cila për ne shqiptarët ka gjithnjë e më shumë një peshë të veçantë për faktin se tanimë Europa nuk është një horizont i ëndërruar, por një majë e prekshme me sy.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndonëse më familjar në përmasë dhe shumë më intim në formë për vetë natyrën që ka ky event, falë Tedit, ne kemi sot jo thjesht këtu, po në Tiranë tharmin e Europës, ashtu siç e kemi ëndërruar dhe dashur gjithmonë, një qytetërim i lartë, një urtësi e moçme dhe një gjenialitet i spikatur. Prandaj dua t’i them të Tedit faleminderit që shkoj në Europë si një shqiptar i bukur, kur për Europën shqiptarët ishin njerëz me bisht dhe patjetër edhe faleminderit Europës, këtu tani duhet shtuar edhe Japonia më duket që gjatë kësaj jave na sollën Tedin në Shqipëri.

Dhe kjo ditë do të mbetet beau Souvenir d’Européen, një kujtim i bukur europian i një europiani, siç do të kishte thënë me elegancën e tij të pashoqe dhe padyshim me një theks shumë më të lartë se sa i imi, shenjti pajtor i përkthyesve, Kalorësi i Legjionit të Nderit, i paharruari Jusuf Vrioni dhe po të kishin qenë sot mes nesh, qoftë ai, qoftë Ismail Kadareja, jam i bindur se të dy do ta kishin shijuar këtë nderim tëndin, i dashur Tedi nga vendi yt, sikur të ishte i tyri.

Ti je njëherësh rojtari i trashëgimisë dhe era e bashkëkohësisë në gjithçka që prek dhe kur përmenda fatin desha të shtoj edhe se kjo ndodh në vigjilje dhe gjatë ditëlindjes tënde, ku ti ke ardhur t’i dhurosh Shqipërisë dhe njerëzve të tu një nga përpjekjet më mbresëlënëse për t’u kthyer në një shfaqje të paharrueshme, interpretimin në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit të integrales së “Kapriçove” të Paganinit, por njëkohësisht edhe të nderohesh prej tyre si një bashkëkohës që është privilegj për të gjithë ne të të kemi.

Në këtë vend janë dhënë për 30 e kusur vite dekorata e tituj për ditëlindje, për morte, për post morte, për dasma, për koncerte edhe për arsye që ndonjëherë dhe vetë arsyeja i ka humbur rrugës, ndërsa të jesh i sigurt që kjo e jotja nuk është ajo histori. Ti që jeton në Francë prej shumë vitesh, një atdhe të dytë që të ka adoptuar, e di ç’do të thotë të bëhesh pjesë e një Urdhri dhe të vishesh me kalorësinë e Republikës dhe këtë kalorësi ti që shkëlqen në oborrësi, në art, në sjellje dhe në fjalë e ke stërmerituar, por ishte Shqipëria që deri shumë pak kohë më parë nuk e kishte këtë urdhër kalorësie të cilin ne e “rilindëm”, si një urdhër suprem 100 vjeçar të shqiponjës dhe ishte dëshira dhe detyrimi im, pastaj edhe i Presidentit të Republikës që ti të renditeshe ndër fare të parët, e kalorësve të këtij urdhri për virtuozitetin tënd do thoshin thuajse të tërë, por unë them edhe për larminë pjellore të angazhimit tënd intelektual, njerëzor, shoqëror, maksimalisht dinjitoz.

Kur tre Urdhrat e rinj të Republikës u aktivizuan me rastin e 100 vjetorit të themelimit të Urdhrit të Skënderbeut, në dhjetor të vitit të kaluar edhe ti ishe aty i përfshirë pas një procesi shumë serioz drejtpeshimi dhe vetëdije se nuk mund të vlerësohej ndryshe përveçse me Urdhrin më të lartë dikush si ti, jo thjesht si laureat i dhjetëra çmimeve ndërkombëtare, as si një virtuoz jo vetëm i violinës, por dhe i letrave, por edhe më shumë se kaq, si një prani bujare e të qenit në radhë të parë një njeri shembullor që do të ishte pa asnjë diskutim, gjëja që do t’i duhej ta prekte gjithkush që ëndërron madhështinë në skenë apo në çdo skenë dhe që duke e prekur do mësonte se madhështia nuk e përjashton, po e ngre ende më lart, pikërisht atë që ty të karakterizon, njerëzillëkun dhe modestinë e rrallë.

Unë gjej rastin ta falënderoj Presidentin e Republikës, kryetarin e Urdhrave, i cili ma delegoi dashamirësisht kryesimin e kësaj ceremonie duke më dhënë këtë privilegj që t’i vendos në kraharor Tedit, yllin e këtij Urdhëri Suprem, motivacioni i të cilit u lexua nga Kancelari i Urdhërave të Republikës, që u sigurua paraprakisht të më bënte me dije se kjo duhet të ishte një ceremoni, prania në të cilën e njerëzve, duhet të ishte thjesht dhe vetëm e përcaktuar nga “Kalorësi” dhe jo e imponuar nga protokolli. Kështu që edhe këtë prani të ngushtë, duhet ta shohim të gjithë së bashku si esencën që vetë Tedi ka zgjedhur për të pasur sa më pak spektatorë të padëshiruar. Dhe përtej motivacionit, unë dua të shtoj se ky Urdhër është për Tedin përkthyes, për Tedin krijues, për Tedin aktor, për Tedin kërkues, për Tedin shqiptarin e Europës dhe të botës, është për atë që preket nga kontrastet e vendit të prejardhjes dhe që magjepset nga kaligrafi i Kansho Miyashita në tempullin e Taima Dera, ndërkohë që mishëron personazhet të Choderlos de Laclos tek “Lidhje të Rrezikshme”.

Me pak fjalë, ky urdhër është për Tedin fenomen, për Tedin gjithmonë në shtegtim dhe gjithmonë mes nesh dhe patjetër nuk diskutohet se nuk dua që të keqkuptohet, që në të gjithë këtë serënditje unë nuk e përjashtova, përkundrazi, muzikantin e madh. Tedi është një muzikant njeri, nuk është një njeri me instrument dhe më kujton tërësisht Tedin, ajo që Bahu thotë se ‘’madhështia nuk qëndron tek objekti, por tek fryma. Nuk ka asgjë të veçantë rreth një instrumenti muzikor. Duhet vetëm të luash notën e duhur, në momentin e duhur dhe instrumenti luan vetë”.

Dhe faktikisht, kur Tedi e ka instrumentin në krah, instrumenti luan vetë, por ka dhe një dimension tjetër që mbase nuk përkon me kornizën e seriozitetit, hijerëndë që ka ‘’Urdhëri i Kalorësit’’, por që unë nuk rri dot pa e shtuar në renditjen time, sepse përndryshe do t’i bëja një padrejtësi Tedit që unë njoh. Tedi, përtej të gjitha atyre që e kanë bërë atë që është si person në individin e vet, është mbi të gjitha ato, një dashurues i paepur, i rrallë; aq i rrallë sa është qoftë një humbës i madh, qoftë dhe një ngadhënjimtar i përjetshëm dhe pa këtë pjesë, arti i tij do të ishte shumë pak për ta portretizuar dhe për ta nderuar Tedin dhe nëse përsëri, do të merrja një fjalë hua, zgjodha të merrja fjalët e Shën Palit kur thotë ‘’po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve dhe të mos kisha dashuri, do të bëhesha si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon” dhe pikërisht është dashuria që Tedi ka dhe e ka me shumicë, që e bën shpeshherë të mbytet dhe gati-gati të mos marrë dot frymë ajo që pastaj e bën violinën e tij që të luajë vetë dhe i bën fjalët që ai zgjedh kur shkruan, të rrjedhin vetë dhe i bën marrëdhëniet e njerëzve me të, që të ruhen vetë.

I dashur, Tedi do flisja gjatë e gjatë për ty, jo se e folura gjatë nuk është karakteristike për mua, por duhet ta mbyll duke thënë që unë e konsideroj veten me fat që të njoh dhe e konsideroj veten me fat edhe që të kam njohur qysh të vogël dhe të kam parë të rritesh kokëfortë, të rritesh këmbëngulës, të rritesh i paepur dhe jam përpjekur ta gjej fjalën shqip për t’i përmbledhur të gjitha ato që të bëjnë ty ai që je, por më e afërta ishte një fjalë që gjeta në italisht; ‘’ostinato’’.

Ostinato në idealin tënd të dashurisë, ostinato deri në fund, ostinato deri në humbje dhe jeta jote që atëherë kur ti vije në dimër si i vetmi nxënës me pantallona të shkurtra dhe në këmbët e tua të bardha kishe shenjat e thuprës së një tjetër ostinato-je që ishte yt atë, nga Tirana e viteve të zymta pastaj tek skenat e mëdha të Europës nuk është karrierë artistike, është një arrati e ostinuar për dashuri, siç do thoshte Lasgushi një dashuri për llahtari, një dashuri e përsosur si një marrëzi dhe siç e ke shkruar vetë ti tek “Fugë për Violinë”, arratia e fugës muzikore është aq logjike, e ligjshme, e ndërtuar dhe e bukur sa ç ‘ishte e shëmtuar, absurde, e verbër dhe e padrejtë në pasojat e saj, arratisja nga sistemi i dikurshëm shqiptar. Dhe këtu qëndron vetë madhështia jote, jo thjesht te arritja, por tek transformimi për t’u rritur, por pa ndryshuar. Tek aftësia për ta kthyer plagën në tingull, helmin në ilaç dhe uthullën në verë, që dashuria të mbetet dhe që gëzimi të zgjatet sa më shumë, përgjithësisht për ata që duan dhe ata që të ndjekin dhe jo aq për ty vetë, që pikërisht pse je “ostinato” nuk e lë gëzimin të zgjasë.

Shumë faleminderit i dashur Tedi dhe më lejo ta mbyll duke thënë që Ylli që ti merr sot është një yll për shembullin, më shumë sesa për karrierën. Është një yll për provën se mund të largohesh nga vendi, por vendi nuk largohet kurrë nga ty. Mund të bëhesh një kolos për botën pa u çrrënjosur nga kopshti i gjyshit dhe mund ta rrëfesh plagën duke e kthyer atë në dashuri jo në mllef. Dhe Ylli që ti merr sot është një yll që ndriçon dhe për ata që historia i lë në prapaskenë, për Robertin, për Jolandën, për familjen, për të gjitha vetëflijimet e heshtura dhe natyrisht nuk diskutohet që është një yll që ndriçon edhe për Makin. Kështu që më lejo që në emër të Presidentit të Republikës t’ju dekoroj Oficer në Urdhrin Suprem të Shqiponjës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush është problemi; Edi Rama apo Sali Berisha?