Gjergj Meta: 5 Maji dhe vetmia mjeruese e pushtetit!

Nga Dom Gjergj Meta-
5 MAJI DHE VETMIA MJERUESE E PUSHTETIT!
Një ndër njerëzit më të rëndësishëm të mijëvjeçarit të dytë është me siguri Napoleon Bonaparti. Hegeli e bëri të pavdekshëm në filozofi me shprehjen e tij të famshme se Napoleoni mishëron shpirtin e botës. Manzoni në letërsi i kushtoi një poezi me titullin “5 maji”, dita e vdekjes së tij, duke thënë se: “Così percossa, attonita la terra al nunzio sta”.
E sa e sa biografi ndër vite i janë kushtuar këtij njeriu.
Napoleoni iu kundërvu me forcën e armëve regjimit të vjetër mesjetar e madje ndër të tjera ndryshoi edhe natyrën e së drejtës duke krijuar kodet kontinentale, përkundër common law ishullor.
Qëndroi mbi kalë midis dy epokash.
Çka nuk arritën iluministët me forcën e pendës apo me kryepremjet e giljotinës e arriti Napoleoni me majat e bajonetave dhe me intuitën e një strategu të jashtëzakonshëm.
Por pak rëndësi ka kjo për çka dua të them.
Një njeri që solli ndryshimin midis dy epokave, e mbylli jetën e tij në një mjerim, i degdisur në ishullin e shën Elenës, diku afër brigjeve të Afrikës së Jugut, në Oqeanin Atlantik.
Nuk ka vuajtje më të madhe se sa harresa e provuar mbi lëkurë sa je gjallë.
Jo vetëm shpartallimi i Waterloo-së së famshme, por edhe vetë jeta e tij në ditët e fundit tregoi se, sado i pushtetshëm të jesh, një ditë do të bësh llogaritë me vetminë që ky pushtet të ka krijuar, me urrejtjen që është mbledhur rreth teje kur ishe i pushtetshëm dhe sidomos që bota ecën para edhe pa ty. Kësaj dite, çdokush që ka apo ka pasur sadopak pushtet, qoftë edhe në lagjen e tij si kryeplak, duhet t’i përgatitet.
Njeriu që i dha aq shumë Evropës, pavarësisht gjakut që derdhi, përfundoi i vetëm në një ishull. Më duket simboli i çdo pushteti, sidomos kur është i përshkuar nga frika e humbjes së tij e cila kthehet në një energji shkatërruese dhe arrogante për çdokënd, sidomos për atë që mendon se i rrezikohet pushteti.
D. Gjergji
May be art of 1 person
Edi Lesi and 48 others
1 Comment
4 Shares
Like

 

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama
Share

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?