Hahn në Greqi, i përgjigjet shqetësimit të deputetëve mbi tekstet e Historisë së Shqipërisë
Komisioneri për zgjerimin, Johannes Hahn, është pozicionuar ndaj pyetjes së dy eurodeputetëve grekë, të cilët kërkonin opinionin e Komisionit Europian mbi çështjen e teksteve shkollore të historisë në Shqipëri, që sipas tyre përmbanin harta irredentiste me pretendime territoriale ndaj vendeve fqinje.
“Çështjet dypalëshe duhet të trajtohen nga palët e interesuara sa më shpejt që të jetë e mundur”, është përgjigjur komisioneri.
Sipas gazetës së SYRIZA-s në pushtet, “Avgi”, Hahn “pa u pozicionuar direkt për çështjen në fjalë”, ka shtuar se “nga sa është në dijeni KE, ka një komision të përbashkët greko-shqiptar që po shqyrton rishikimin e teksteve shkollore”.
Gjithësesi, Johannes Hahn, ka theksuar se “marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal përbëjnë vlera themelore të procesit të stabilizim asociimit dhe të zgjerimit të BE”.
Komisionieri vë gjithashtu në dukje se sipas progres raportit të fundit për Shqipërinë, marrëdhëniet e vendit me Greqinë “kanë mbetur në përgjithësi pozitive, me shkëmbime të shpeshta vizitash të nivelit të lartë”, raporton Ora News.

