I plagosuri në Korçë heshti në polici. Ja çfarë po hetohet
Atentati ndaj Mina Zoja, i sapokthyer nga emigrimi në Gjermani, u përfshi mbrëmë në një konflikt me tetë persona të tjerë, por që përplasja është e veshur me mister.
Personat me të cilët u konfliktua, fillimisht e kanë goditur dhe janë larguar me shpejtësi, por më pas janë rikthyer dhe e kanë qëlluar me pistoletë, ku ka marrë një plumb në këmbë. Shkak për ngjarjen dyshohet të jetë bërë një konflikt i vjetër, ndërkohë që po punohet për zbardhjen e ngjarjes.
Ngjarja ka ndodhur në hyrje të Korçës, përgjatë aksit rrugor Korçë-Ersekë, ku 39-vjeçari është qëlluar nga një person ende i paidentifikuar, i cili ka mundur të largohet me shpejtësi nga vendngjarja me një mjet.
Policia ka bërë shoqërimin e disa personave të dyshuar si autorë të kësaj ngjarjeje. Vetë 39-vjeçari, gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e Policisë, është treguar i rezervuar duke mos dhënë shumë informacion mbi ngjarjen.
Zoja rezulton person me precedentë të mëparshëm pasi rezulton i dënuar për shitje dhe prodhim të lendeve narkotike. 39-vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani dhe Shqipëri. Nga hetimet paraprake dyshohet se plagosja ka ardhur pas prishjes së pazareve të drogës dhe kjo mendohet të jetë arsyeja pse 39-vjeçari nuk ka pranuar të japë asnjë detaj para grupit hetimor.

