Integrimi në BE, Bushati tregon hapat kritikë, premton se…
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati i ftuar në emisionin “Tonight Ilva Tare” ka treguar hapat kritikë të cilat do të kalojë vendi ynë këtë vit për të arritur hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Bushati ka thënë se viti 2018 do të jetë ku do të hidhet hapi historik për Shqipërinë, si edhe ka shpjeguar se presidenca e Bullagarisë në BE do i japë prioritet integrimit në Ballkanin Perëndimor ku bën pjesë dhe vendi ynë.
“Ky është një vit shumë i rëndësishëm pasi në prill presim nga ana e Komisionit Evropian që të vijë me një propozim për hapjen e negociatave për anëtarësim. Dhe më pas në samitin e majit në Bullgari, gjatë presidencës bullgare e cila ka një fokus tek vendet e Ballkanit Perëndimor dhe tek procesi i zgjerimit, ne të kemi mundësi të merrnim një mesazh të qartë politik që ne të kishim dritën e gjelbër për një vendimmarrje nga ana e vendeve anëtare të BE-së. Në prill, KE do të publikojë raportet individuale dhe ky është momenti ku ne presim që KE të konfirmojë progresin që ka bërë Shqipëria, sidomos sa i përket 5 prioriteteve, reforma në drejtësi që është konsideruar kryeprioriteti në këtë fazë ku jemi. Natyrisht, maji është një moment i rëndësishëm pasi do të mblidhet Samiti i Bashkimit Evropian. Në Bullgari do të kemi një samit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Ky është një vit përcaktues për një hap historik për sa i përket integrimit europian”,-tha Bushati për gazetaren Ilva Tare.

