Investimi prej 13,2 mln eurosh, Lezha 24 orë ujë të pijshëm
Investimi prej 13.2 milion eurosh për rehabilitimin e rrjetit të furnizimit ka garantuar 24 orë në ditë ujë për 45000 qytetarë të Lezhës. Punimet ndërtuese dhe rehabilituese u bashkëfinancuan nga qeveria zvicerane me një grant prej 10 milionë eurosh, Qeveria Federale Gjermane, përmes KfW-së me 3 milionë euro dhe Bashkimi Evropian me 250.000 euro. Gjatë punimeve u shtrinë rreth 128 km tubacione të rrjetit të furnizimit me ujë si dhe u ndërtuan nga fillimi 3 rezervuarë duke i dhënë zgjidhje një prej problemeve më shqetësuese për banorët e Lezhës.
Kryeministri Rama garantoi se qeveria do të vazhdojë investimet në ujësjellës për të siguruar furnizimin me ujë të pijshëm deri në fshatrat më të largët të bashkisë së re, por nënvizoi se investimet në ujësjellës do të mbështetjen mbi performancën dhe ecurinë e reformës së ujit.

“Me shumë respekt për punën e kryer nga Ndërmarrja e re e Ujësjellësit, një nga shembujt pozitivë që kemi në territorin e Shqipërisë përsa i përket ndarjes së politikës nga logjika e shërbimit për konsumatorin, dua t’i siguroj të gjithë banorët e Lezhës, pa dallim, se ne do vazhdojmë këtë punë. Por ndërkohë dua po ashtu që të rinënvizoj domosdoshmërinë që sëbashku, qeveria, bashkia, ndërmarrja të çojmë përpara reformën, sepse, nëse ky investim është bërë sot, por nuk mbështetet financiarisht, në kuptimin e pasjes së një bilanci të shëndetshëm të përvitshëm, duke paguar të gjithë ata që konsumojnë, atëherë jo vetëm që nuk shkojmë dot më tutje, për ta përfshirë të gjithë hartën e bashkisë së re në furnizimin 24 orë, por përkundrazi do të humbasim hap pas hapi edhe vetë këtë investim kaq të çmuar që është bërë”, u shpreh Rama.

