Krisja e pallatit, Rami: Ofrojmë banesa me qira për banorët
Pa kaluar më shumë se 5 orë nga njohja me raportin e mbërritur nga shërbimi gjeologjik në lidhje me pallatin që rrezikon të shembet, bashkia Gjirokastër ju ka komunikuar banorëve vendimin.
Kryebashkiakja Zamira Rami takoi 18 familjet e prekura nga shkarjet e dherave në lagjen “Punëtore” dhe u kërkoi atyre që të qëndrojnë larg banesave. Rami deklaroi se ka kërkuar nga Kryeminstri i vendit dhe ministria e Mbrojtjes shpalljen e zonës emergjencë civle. Ajo tha se nëse ekspertët e vlerësojnë zonën si të rrezikshme atëherë brenda tri ditëve do të mblidhet këshilli bashkiak për të alokuar fondin e emergjencave civile.
Të gjitha familjet do te strehohen në shtepi me qira te paguar nga bashkia nga fondi i emergjencave civile për një afat deri në 6 muaj. ”Nëse relacioni që do të dalë nesër nga tre specialistët do ta lerë në fuqi këtë vendim atëhere ne do të alokojmë për të gjitha këto familje fondin e emergjencës në lidhje me subvencionimin e qirave”,-tha ajo.
Banorëve ju është kërkuar bashkëpunim dhe që ti binden urdhërit për të qëndruar të evakuar nga banesat e tyre deri në përcaktimin e rrezikshmërisë së terrenit ku ndodhet pallati.

