
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka komentuar pjesëmarrjen e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku në seancat plenare, duke argumentuar se ajo është e pranishme në momentet kur kërkohet votimi për çështje të rëndësishme parlamentare.
I pyetur nga gazetarët se çfarë vlere ka për Partinë Socialiste agjenda e saj politike, kur një deputete prej muajsh nuk merr pjesë në punimet e Kuvendit, Balla u shpreh se grupi parlamentar ka 82 anëtarë, të cilët mbështesin reformat e qeverisë.
“Grupi Parlamentar i PS përbëhet nga 82 anëtarë dhe të gjithë janë gjithmonë aty për të votuar dhe për të mbështetur këto reforma, sepse kontrata e PS është kontratë me Shqipërinë”, deklaroi Balla.
Sa i përket mungesave të Ballukut në seancat plenare, ai tha se ish-zv.kryeministrja ka qenë e pranishme në momentet e përcaktuara për votimet, ndërsa vlerësoi angazhimin e saj në zonën zgjedhore.
“Ishte para 2 javësh. Në mes të ditës, në orën e përcaktuar, gjithmonë aty. Sa i përket prezencës në zonën zgjedhore është ndër deputetet më të mira të PS-së”, u shpreh kreu i grupit socialist.
Balla iu referua gjithashtu angazhimit të Ballukut në Fier, duke deklaruar se ajo do të ishte e pranishme në këtë zonë edhe ditën pasuese, në orën 17:00.