Lajmi fundit/Qeveria ”shkrin” një Universitet privat
Një tjetër Universitet i hiqet Tiranës. Me propozim të Ministrisë së Arsimit, qeveria ka mbyllur Shkollën e Lartë Universitare private “Justicia” në Tiranë, për të gjitha programet e studimit. Studentët që vazhdojnë aktualisht studimet në këtë universitet, do të transferohen në universitete të tjera, ndërsa institucioni do të përgatisë dosjen e çdo studenti brenda datës 16 shkurt.
“Shkolla e lartë universitare jopublike “Justicia”, Tiranë, të përgatis dosjen për çdo student, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit të lartë për vazhdimin e studimeve dhe t’ia vërë atë në dispozicion vetë studentit apo përfaqësuesit ligjor, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij, brenda datës 16 shkurt 2018”, thuhet në pikën dy të vendimit.
Shpenzimet për kryerjen e procedurave për mbylljen e këtij institucioni jopublik do të përballohen nga vetë institucioni, ndërsa do të duhet të kthejë pagesat e kryera nga studentët “për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimit, për rastet kur pagesat janë kryer për cikël studimi, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të kenë ndaj studentit”.


