Lidhje e pamundur, i riu plumba 14-vjeçares; familjarët: Kanë lidhje gjaku
Redjon Shtylla
Një pëlqim që kishte një i ri ndaj një minorene, do të kishte fund tragjik, por diçka u mbyll vetëm me disa plumba në ajër që nuk prekën 14-vjeçaren. Ngjarja e rëndë u shënua të fshatin Babunjë të Divjakës, paraditen e së enjtes, ku mësohet se të dy kanë një lidhje gjaku.
Pamundësia për të qenë me vajzën që dashuronte, shtyu 22-vjeçarin, Bajram Krasniqin, të ndërmerrte një veprim që mund ti kishte marrë jetën 14-vjeçares, që për arsye që ajo është minorene, emri nuk i publikohet.
22-vjeçari u arrestua nga uniformat blu, pasi qëlloi me pushkë gjysmëautomatike në drejtim të minorenes. Nga të shtënat nuk pati të lënduar. Mësohet se Krasniqi kishte pëlqim për vajzën, të cilën e ngacmonte prej kohësh. Por, së fundmi, ai kishte mësuar se prindërit kishin vendosur ta fejonin minorenen me dikë tjetër. Ka qenë kjo e fundit që i ka komunikuar vendimin 22-vjeçarit, duke i kërkuar mos ta ngacmonte më. Pas kësaj, ai i zuri pritë 14-vjeçares, dhe me një armë në dorë I doli përpara saj dhe e shkrepi. Vajzën fatmirësisht nuk e kapi asnjë plumb.
Ngjarja
22-vjeçari, Bajram Krasniqi prej kohësh ngacmonte të mitur, që sipas dëshmieve të dy familjeve, rezulton të jenë kushërinj të dytë. Ndonëse ishte në pritje të një sinjali dhe një përgjigjeje pozitive nga ajo, i riu mësohet të ketë marrë lajmin që nuk priste, pasi prindërit e saj kishin vendosur ta fejonin me dikë tjetër.
Në këto rrethana dhe i ngarkuar emocionalisht, Krasniqi në inat e sipër, ka siguruar një armë zjarri automatik, ndërsa ka vendosur ti dalë përballë ndaj vajzës që dashuronte, pasi kjo e fundit refuzoi dashurinë e tij.
Siç raportuan edhe burime policore, i riu ka pritur sa vajza të mbaronte shkollën dhe në qendër të fshatit i ka zënë pritë dhe më pas ka qëlluar në drejtim të saj me disa herë, por fatmirësisht plumbat nuk e kapën 14-vjeçaren dhe asnjë banorë tjetër përreth. Në vendngjarje, efektivët e policisë gjetën 3 gëzhoja, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
“Ndërkohë, pak pas ngjarjes ai u arrestua, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuzat për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak””,-thuhet në deklaratën e policisë.
Lidhja
Arsyeja pse prindërit e 14-vjeçares ishin kundër një lidhje mes Bajramit dhe vajzës së tyre, ishte se të dy kishin lidhje gjaku me njëri-tjetrin. Të njohur të dy familjeve thanë se 22-vjeçari dhe 14-vjeçarja janë kushërinj të dytë. 22-vjeçari mësoi se prindërit kishin vendosur ta fejonin 14-vjeçaren me dikë tjetër, dhe ai nuk e ka pranuar këtë gjë. Ka qenë vajza që i ka komunikuar vendimin 22-vjeçarit, duke i kërkuar mos ta ngacmonte më.

