Llalla: Pse nuk përfshihen Prokurorët në asgjësimin e drogës?
Në një konferencë për shtyp së bashku me Ministrin e Drejtësisë, Petrit Vasili, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, ka ngritur shqetësimin për fenomenin e sasive të mëdha të kultivimit të kanabisit në vendin tonë. Gjatë fjalës Llalla u ndal tek strukturat ligjzbatuese, ku i akuzoi për kontrolle të ulta të zbulimit të kultivuesve.
“Ka sasi të mëdha kultivimi lëndësh narkotikike. Ky është problem tepër shqetësues. Ajo që është shqetësuese është që strukturat ligjzbatuese që kanë detyrë të kontrollojnë territorin, mbetet tepër i ulët zbulimi i kultivuesve”, tha kryeprokurori.
Llalla tha se asgjësimi i lëndës narkotike që po bëhet nga forcat e policisë, në shumë raste kjo provë materiale po bëhet pa praninë e prokurorit në kundërshtim me ligjin.
Kryeprokurori paralajmëroi se do të ketë arrestime të oficerëve të policisë që në mënyrë të paligjshme asgjësojnë provat materiale pa praninë e prokurorit përgjegjës.
“Problematikë tjertër është administrimi i provave materiale. Lënda narkotike duhet të asgjësohet në prani të prokurorit. Kur ka dyshime që prova materiale agjësohen në mënyrë të paligjshme, të fillojë hetimet ligjore dhe të vendosë para drejtësisë autorët”, tha Llalla.

