Martin Bardhi vritet nga hasmi, plagosen 3 qytetarë. Pistë data 26 dhe masakrat në veriun e vendit

Kallashnikovi u dëgjua këtë të martë në Rrëshen. Martin Bardhi (Marku) kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu, dhe u ekzekutua në lokalin e tij që ndodhet në hyrje të spitalit të Rrëshenit, 50 metra përballë komisariatit të qytetit.

Ai ishte në lokal bashkë me tre të afërm të tij, Oltion Gjini, ish-drejtor në bashkinë e Mirditës, Ilir Bardhoku, pronar i një lokali aty dhe Indrit Bardhi të cilët mbeten të plagosur. Sipas drejtorit të policisë, Alfred Elezi, pistë hetimi aktualisht janë konfliktet e fisit Bardhi me fiset e tjera. Elezi thotë se viktima u ekzekutua nga dy autorë të maskuar me fuoristradë.

Në fshatin Gëziq, Mirditë është konstatuar duke u djegur një automjet tip fuoristradë, që dyshohet se është përdorur nga autorët, për kryerjen e vrasjes. Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe në ndihmë të Policisë lokale, janë nisur Forcat Speciale “RENEA” dhe FNSH, si dhe në Rrugën e Kombit, në drejtim të Kukësit, të Laçit, Lezhës dhe Dibrës, janë ngritur pika kontrolli.

Bardhi sapo ishte liruar nga qelia e burgut. Ai ishte lënë me masën e sigurisë detyrim paraqitje pasi në muajin Mars u arrestua si një nga autorët e përfshirë në atentatin ndaj Saimir Reçit në Rrëshen. Kjo ngjarje e 6 muajve më parë ka një të përbashkët me vrasjen e sotme. Data e krimit. Më 26 mars u qëllua ndaj Saimir Reçit, ndërsa më 26 shtator u vra Martin Bardhi.

Atëherë u qëllua ndaj makinës së blinduar të Reçit. Ky i fundit humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me një bordurë, por nuk u plagos. Saimir Reçi është nipi i Kastriot Reçit, i cili në vitin 2020 u ekzekutua me snajper në qendër të Rrëshenit.

SHKARKO APP