
Përgjegjësia penale për të miturit në Shqipëri nis përpara moshës 18 vjeç. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka rikujtuar përmes një videoje informuese të publikuar në rrjetet sociale se legjislacioni shqiptar parashikon përgjegjësi penale për të miturit që përfshihen në vepra të kundërligjshme.
Sipas shpjegimit të ministrit, përgjegjësia penale nis në moshën 14 vjeç për krimet, ndërsa për kundërvajtjet penale zbatohet nga mosha 16 vjeç.
Gogu theksoi se përfshirja në akte dhune mund të sjellë pasoja ligjore edhe për personat nën moshën 18 vjeç, duke nënvizuar se mosha e mitur nuk përjashton automatikisht përgjegjësinë penale.
Përmes këtij mesazhi informues, Ministria e Drejtësisë synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi parashikimet ligjore dhe pasojat që mund të ketë dhuna edhe kur kryhet nga të miturit.
