Ministri Xhafaj shkarkon nga detyra Haki Çakon
Haki Çako, sapo është liruar nga detyra si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Lajmi u bë publik nga Ministria e Brendshme, ku përmes në deklarate thuhet se: ”Me propozim të Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Këshilli i Ministrave miratoi lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako”.
Në krye të uniformave blu është komanduar zvdrejtori i përgjithshëm i policisë, Rebani Jaupi. Vendimi është firmosur nga Kryeministri Edi Rama pas propozimit të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Sipas deklaratës, ky shkarkim ka ardhur për një lidership të ri. ”Me energjitë të reja për të motivuar dhe çuar përpara punën e Policisë së Shtetit”.
Pas lirimit nga detyra ministri Xhafaj pati një takim me Çakon duke e falënderuar për punën dhe bashkëpunimin e deritanishëm, ndërsa shtoi se mandati i ri qeverisës kërkon një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune.
Çako largohet nga kjo detyrë pas një periudhe gati 3 vjeçare. Ai zëvendësoi Artan Didin ndërsa në njoftimin e Ministrisë së Brendshme lirimi i tij argumentohet me sfidat e reja që e presin Policinë e Shtetit të cilat kërkojnë një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune.
Deklarata e Ministrisë së Brendshme
Me propozim të Ministrit të Brendshëm, zotit Fatmir Xhafaj, Këshilli i Ministrave miratoi lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako.
Ministri Xhafaj, vlerëson kontributin, angazhimin dhe përkushtimin e zotit Çako në drejtimin e Policisë së Shtetit, gjatë viteve të fundit. Ai ka një karrierë të gjatë në Polici dhe ka drejtuar me profesionalizëm struktura të niveleve të ndryshme.
Ministri Xhafaj, pati një takim gjatë të cilit e falënderoi Drejtues Madhor Çakon për punën dhe bashkëpunimin e deritanishëm, në përmbushjen e misionit të Policisë së Shtetit.
Megjithatë, realizimi i objektivave të këtij mandati qeverisës, në fushën e rendit dhe sigurisë publike, sfidat që e presin Policinë e Shtetit, kërkojnë një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune. Për këtë arsye është i domosdoshëm një lidership i ri, me energjitë të reja për të motivuar dhe çuar përpara punën e Policisë së Shtetit.
Puna e kësaj të fundit, domosdoshmërisht duhet të jetë e orientuar drejt rezultateve konkrete, me qëllim që t’u përgjigjet, kësisoj, më mirë kërkesave të kësaj faze të re dhe pritshmërive të larta të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë ndaj Policisë së Shtetit.

