Naftë e shtrenjtë, tritol pa kursim dhe temperatura të larta

 
 
Pas disa javësh heshtje, kryeqytetit i janë rikthyer atentatet me tritol. Në zonën e Kombinatit, vetëm rastësia i ka shpëtuar jetën një biznesmeni, i cili ka pikasur pa hyrë ende në makinë tritolin e vendosur poshtë saj. Ngjarja e djeshme u shtohet kështu rreth 30 atentateve apo tentativave për atentate me tritol, të cilat kanë ndodhur që nga janari i këtij viti në vend. Ndërsa janë arrestuar dy grupe që dyshohet se vendosnin tritolet dhe kryenin vrasje me pagesë, si i Julian Sinanaj dhe grupi që dyshohet se vendosi tritolin tek farmacia e babait të ministrit të Brendshëm, Samir Tahiri; gjetja e tritolit të djeshëm rihap çështjen e shpërthimeve me eksploziv. Eksplozivi i djeshëm dëshmon se në vend ka ende grupe kriminale të tjerë që vazhdojnë të marrin porosi për vrasje dhe eliminime. Gjatë fushatës zgjedhore pati rreth 5 denoncime për vendosje tritoli. Fatmirësisht, në asnjë rast nuk pati viktima apo të lënduar. Ndërsa rasti i djeshëm, ku objektivi ishte një biznesmen ndërtimi nuk duket se është tritol elektoral, por riaktivizim i grupeve kriminale. Atentatet me tritol, pavarësisht nëse shpërthejnë ose jo, mbjellin panik më shumë se çdo lloj krimi tjetër. Terrori që përhapin, krijon panik në të gjithë popullisinë dhe e bën Shqipërinë të duket sikur është vend në konflikt dhe jo një vend normal.
Por sikur të mos mjaftonte mungesa e sigurisë apo temperaturat e larta shqiptarët përballen edhe më një paradoks. Agjencitë ndërkombëtare njoftonin dje se çmimi i naftës do të vazhdojë të ulet edhe për vitin në vijim. Në bursën ndërkombëtare ky produkt ka arritur çmime normale për tregun dhe nuk ka më rritje. Kjo edhe si pasojë e faktit se prodhuesit e naftës janë duke hedhur në treg sasi të konsiderueshme të saj. Kështu, teksa çmimi i një fuçie në tregun ndërkombëtar deri disa muaj më parë ishte 115 dollarë, aktualisht ka arritur në nivelin prej 59 dollarësh. Një ulje e tillë reflektohet në gjithë tregun botëror, duke përfshirë dhe atë me pakicë. Por ndryshe ndodh në Shqipëri. Në shumicën e pikave të karburanteve, çmimi i naftës tregonte dje rreth 190 lekë për litër. Ky çmim rënditet ndër më të lartët jo vetëm në rajon, por krahasuar edhe me vendet e tjera jashtë Ballkanit. Nga ana e saj, Partia Demokratike reagoi dje për rritjen e çmimit të këtij produkti, duke fajësuar qeverinë. Deputeti Gerti Bogdani tha se arësyeja e rritjes së çmimit të naftës ka të bëjë me taksën e qarkullimit. Por pavarësisht taksës, në tregun e naftës në Shqipëri ekzistojnë monopole të vendosura  nga qeveria e kaluar. Por akoma vazhdojën edhe në Qeverinë Rama. Kështu dorë në rritjen e çmimit kanë të gjitha palët politike të cilat kanë mbështetur vetëm disa grupe biznesesh duke bllokuar funksionimin normal të këtij biznesi. Ligjet e importit, taksat, kostot e rrugës që bën nafta për të ardhur deri në Shqipëri, janë vetëm justifikime që përdoren për të fshehur të vërtetën. Fakti është se në gjithë vendet e botës nafta pëson ulje, ndërsa tek ne çmimi i saj vetëm rritet. Ajo që e bën edhe më absurde këtë situatë është dhe fakti se dy muaj më parë qeveria shqiptare ndërmori aksionin më të madh në tregun e hidrokarbureve. Sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik dhe Tregtisë, Arben Ahmetaj, aksioni u shoqërua me masa të ashpra ndaj disa bizneseve që nuk respektonin kushtet teknike të tregtimit të naftës, si dhe kryenin evazion fiskal. Dy muaj më pas, pikat e karburanteve mund të kenë marrë ndonjë gjobë, por fakti është se çmimi i karburanteve po rritet njëlloj si temperaturat e verës. Ndërsa cilësia e karburanteve nuk rezulton të jetë shumë më e mirë sesa ajo që ishte disa muaj më pas. Aksioni i dhjetëra institucioneve dhe i policisë mund të ketë çuar disa milionë lekë më shumë në arkën e shtetit, por nuk ka rregulluar tregun përsa u përket nivelit të çmimeve. Madje përfaqësuesit e kompanive monopol të karburanteve, lekët që mund të kenë dhënë për gjobat, po ua marrin shqiptarëve duke rritur çmimet në mënyrë të menjëhershme.
Mafia e karburantëve që edhe monopolin komandon disa struktura qeveritare ndaj nuk e ngacmon njeri për rritjen e çmimit pasi këtë e ha populli, i cili është konsumatori e që nuk ka asnjë rrugë të shpëtojë nga kjo derisa qeveria nuk bëzan, as nuk ndëshkon njeri.
 
Monopolet e karburantëve ka bërë ligjin në kohën e Berishës dhe po vazhdojnë të mos preken edhe sot në kohën e Ramës.
 

SHKARKO APP