Ndërron jetë pas 4 muajsh 21-vjeçari nga Malësia e Madhe, u qëllua nga një ish-komando
Ka ndërruar jetë pas 4 muajsh i shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë, Edmir Nilaj 21-vjeçari nga Malësia e Madhe ndodhej në spital që prej 3 Shtatorit të vitit që lamë pas, pasi u plagos me armë zjarri në kokë nga Admir Dekovi.
Ky i fundit, dikur kishte shërbyer si efektiv i forcave komando, vijon të jetë në arrati. Orët e para të 3 Shtatorit, Edmir Nilaj ndodhej në një lokal me muzikë në Beltojë të Shkodrës, në shoqërinë e disa miqve të tij.
Një telefon i humbur u bë shkak për një konflikti të nisur brenda ambienteve të lokalit me disa persona të ulur në tavolinën ngjitur. Por zënka nuk u ndal aty dhe vijoi edhe jashtë ambienteve të lokalit. Pikërisht në këtë moment, 35-vjeçari Dekovi, i cili punonte si truprojë në lokalin e natës ndërhyri duke e goditur fillimisht të riun me qytën e armës, e më pas me një plumb në kokë.
Nilaj ndodhej i shtruar në spital, ku dhe fatkeqësisht humbi betejën me vdekjen duke ndërruar jetë. Për ngjarjen u arrestuan disa persona për moskallëzim krimi, ndërsa autori i saj arriti të largohej. Para oficerëve të policisë, 4 të arrestuarit deklaruan se debati kishte nisur pasi Nilaj i kishte akuzuar se i kishin marrë celularin, ndërkohë që sipas tyre kjo nuk ishte e vërtetë.

