Në 10 ditë janë vetëvrarë 7 persona
2018 nisi me lajme të kronikës së zezë. Në harkun e 10 ditëve në vend janë regjistruar 7 vetëvrasje. Vetëvrasjet në vendin tonë vazhdojnë të qëndrojnë në shifra të larta dhe alarmante. Katër meshkuj dhe tre femra në gjithë vendin vendosën t’i jepnin fund jetës së tyre. Tre persona i kanë dhënë fund jetës duke pirë fotoksinë (në Memaliaj, Berat, Kuçovë), tre me vetëvrasje me armë zjarri (Korçë, Gjirokastër, Fushë-Krujë) dhe një me hedhje nga pallati (Vorë).
2 janar 2018
Një person është gjetur i pajetë në fshatin Porodinë të Korçës. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, teksa viktima është identifikuar si shtetasi Hysni Myrtollari, rreth 67 vjeç, pronar i një pularie.
2 janar 2018
Në gjendje depresioni, është hedhur nga kati i gjashtë i pallatit, ku banonte, shtetasi B.M, 44-vjeç, banues në Vorë, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
3 janar 2018
I jep fund jetës, kur të gjithë nuk e prisnin, kjo pasi 53-vjeçari Nasip Kalemi kishte shkuar te vëllezërit e tij në Iliras në Memaliaj për të festuar së bashku Vitin e Ri. Kalemi, i cili banonte në Fushë-Krujë, u gjet i pajetë në banesën e vëllezërve të tij, pasi kishte pirë fotoksinë.
5 janar 2018
Një 32-vjeçare ka humbur jetën në Berat, pasi ka konsumuar lëndë helmuese. Burimet nga policia thanë se shtetasja E.Ç, 32-vjeçe, banuese në fshatin Lapardha, dyshohet se ka tentuar të vetëvritet duke konsumuar fotoksinë. Mësohet se 32-vjeçarja ka humbur jetën më vonë në spital, ndërsa mjekët nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar.
5 janar 2018
Vetëhelmohet dhe i jep fund jetës së saj në kulmin e saj! Një vajzë 22-vjeçare, I.Ç, nga fshati Vodëz, Kuçovë, i dha fund jetës në kushtet e një depresioni të thellë, duke pirë fotoksinë. Ajo ndërroi jetë gjatë rrugës për në spitalin e Beratit.
6 janar 2018
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme ku në oborrin e shtëpisë është gjetur i vetëvratë me armë zjarri një i moshuar. Burime zyrtare nga policia e Gjirokastrës bëjnë me dije se dje rreth orës 06:30 në fshatin Fushëbardhë është gjetur i vetëvrarë me armë gjahu shtetasi R.O, i cili dyshohet se vuante nga skleroza.
10 janar 2018
Një 17-vjeçare i ka dhënë fund tragjikisht jetës së saj duke u vetëvrarë me armë zjarri. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Tapizë të Fushë-Krujës. Sipas të dhënave të para mësohet se adoleshentja e Esma është vetëvrarë me pistoletë në banesën e saj. Ndërsa trupi i pajetë i vajzës është gjetur nga familjarët.

