Nga Lezha del emri i pasuesit të Haki Çakos
Në këto dy ditë qeveria ”Rama 2” është zhvendosur në qytetin e Lezhës, ku do zhvillohet edhe mbledhja e qeverisë. Sipas axhendës, në Lezhë do të mbahet edhe një aktivitet kushtuar 105-vjetorit të krijimit të policisë së shtetit. Për organizimin e këtij përvjetori është marrë personalisht drejtori i komanduar i policisë Rebani Jaupi.
Gjatë këtij aktiviteti kryeministri Rama do të prezantojë edhe drejtorin e policisë së shtetit. Nuk dihet me saktësi emri i personit që do të zërë vendin e kryepolicit, por të gjitha zhvillimet e orëve të fundit çojnë tek emri i Sokol Bizhgës.
Bizhga plotëson të gjitha kriteret për të marrë këtë detyrë. Megjithatë, emri i Bizhgës është lakuar edhe për postin e Drejtorit për Rendin dhe Sigurinë Publike.
Ai ka një karrierë më shumë se 18 vite në policinë e shtetit pa asnjë shkëputje dhe prej kohësh mban gradën “drejtues i parë”. Aktualisht është drejtor i Forcave Lëvizëse Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme.

