”Pak studentë të arrestuar”, Hita: Policia nuk tërhiqet, ndaloni sulmet ndaj institucioneve
Në tre ditët e trazirave në vend, drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita doli këtë të enjte në një konferencë për mediat, ku tha se mes të arrestuarve ka shumë pak studentë. Ai u bëri thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve që të mos lejojnë që fëmijët të përdoren për akte dhune.
Sipas tij, të rinjtë me maska që po sulmojnë dhe dhunojnë policinë dhe pronën publike dhe private nuk janë studentë, por janë rekrutuar nga ata që kanë organizuar protestën, të cilët i cilësoi si eksponentë të brendshëm dhe të jashtëm. Ai theksoi se institucioni i policisë nuk është pronë private e asnjë partie politike, teksa u bëri apel prindërve dhe mësueve që të mos lejojnë të miturit në aktet e dhunës.
”Policia nuk është pjesë e asnjë partie politike. Misioni ynë është të mbrojmë pronën dhe jetën. U bëjmë thirrje prindërve që të mos lejojnë që gjimnazistët të bëhen pjesë e dhunës. Nga të gjithë të ndaluarit natën e parë në protestat e dhunshme, asnjëri nuk rezultoi studentë. Edhe në natën e dytë, vetëm një pjesë e vogël rezultuan studentë. Çdo sulm ndaj policisë është dhunë ndaj shtetit. Agresorët do identifikohen. Policët duhet të tregojnë profesionalizë dhe vetpërmbajtje. Mos u provokoni. Autoriteti buron prej ligjit”, tha mes të tjerash Hita.
Drejtori Hita tregoi se deri më tani janë 71 efektivë të plagosur, ndërsa policia sipas tij ka vepruar në përputhje me ligjin dhe procedurat. “Proporcionaliteti i dhunës së ushtruar nga policia ka qenë në përputhje me ligjin dhe procedurat standarde që kemi. Janë mbi 71 policë të plagosur dhe kjo flet që ka patur dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe inistitucioneve. Në këtë rast është proporcionaliteti i duhur”.
Zoti Hita keni arrestuar shumë persona, por të paktën nga protestat e mëparshme, ju i arrestoni dhe ata lirohen, sepse nuk ka prova të mjaftueshme. Këtë radhë a keni prova të mjaftueshme dhe a keni bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë e Tiranës?
Kryepolici Hita: Që në momentet e para është bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë e Tiranës. Janë përfituar të gjitha pamjet filmike të personave që kanë kryer këto akte dhune. Janë identifikuar dhe kapur në flagrancë edhe personat e tjerë që kanë dëmtuar bizneset. Është bërë një dokumentim real i gjithë veprës penale, pavarësisht vendimit që ka gjykata kryesisht për protestat që zhvillohen në Shqipëri.
Disa institucione financiare apo edhe biznese kanë ngritur akuza se protestuesit kanë marrë sende me vlerë në këto biznese. A është bërë i mundur identifikimi i tyre dhe si do të veprohet?
Kryepolici Hita: Deri në këto momente janë arrestuar persona për kryerjen e këtyre veprimeve dhe janë ngritur akuza për vjedhjen e bankave dhe institucioneve të kursimit. Edhe sot në drekë u dëmtua një institucion financiar dhe policia ndërhyri dhe ka arritur të identifikojë disa prej tyre. Nëse protesta do të vijojë në këtë ritëm, ne jemi të gatshëm të tregojmë forcën e ligji.

