Papa Leoni XIV në Madrid para 1.2 milion besimtarëve: Jo fesë private e të rehatshme, jini ndërtues të shpresës

Në homelinë e Meshës Shenjte në Plaza de Cibeles, Leoni XIV ka një mesazh për mbarë Spanjën: fetaria nuk duhet të jetë muze për t’u vizituar, por shkollë feje, që na largon nga egoizmi i verbër dhe indiferenca ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe të përjashtuarve. Askush nuk mund të gjunjëzohet para Zotit dhe ta përçmojë vëllaun e tij, pohoi Papa para 1.2 milion besimtarëve. Në fund të kremtimit, procesioni solemn i Corpus Christi nëpër rrugët e qytetit.

“Krishti që kalon nëpër rrugë në të Shenjtueshmin Sakrament të Eukaristisë është i njëjti që identifikohet me të varfrit, të sëmurët, të vetmuarit dhe të përjashtuarit. Nuk është rastësi që këtu në Spanjë, Kisha ka bashkuar për vite me radhë solemnitetin e Corpus Domini me Ditën e Bamirësisë. Nuk bëhet fjalë vetëm për të nxjerrë jashtë nëpër udhë të Shenjtueshmin Sakrament të Eukaristis në një ostensor, por për të lejuar që vetë të dalim jashtë egoizmit, indiferencës, një feje të rehatshme dhe private, për t’iu përgjigjur ftesës së Jezu Krishtit për kthim, për të ndryshuar shikimin, duke pranuar praninë e tij që na ndryshon dhe na bën ndërtues të një bote të re.” Kështu u shpreh mes tjerash Papa Leoni XIV në Sheshin Cibeles, në Madrid, në homelinë e Meshës në Solemnitetin e Korpit e Gjakut të Jezu Krishtit.

Në vijim homelia e Papa Leonit XIV

Swiss Digital Desktop Reklama

Udhëtimi Apostolik i Atit të Shenjtë Leo XIV në Spanjë
6-12 qershor 2026
Homelia e Atit të Shenjtë
MESHA SHENJTE
Solemniteti i Corpus Domini
Madrid, Plaza de Cibeles, 7 qershor 2026
Eminenca të Nderuara, Shkëlqesi,
të dashur priftërinj, rregulltarë e rregulltare,
vëllezër dhe motra,
me zemrën plot gëzim, në fillim të këtij Udhëtimi në Spanjë, e kryesoj këtë Kremtim në Solemnitetin e Corpus Domini.

Swiss Digital Mobile Reklama

Jemi mbledhur rreth Eukaristisë, dhuratë pranisë së gjallë të Krishtit ndërmjet nesh. Ai, që dëshiroi të na ofronte jetën e tij për të na sjellë në bashkësi me Atin dhe për të na bërë bij të tij, është këtu, si buka e gjallë që zbret nga qielli, duke na ushqyer me vetë jetën e Zotit, me një dashuri më të fortë se vdekja.

Kjo kujtesë e Zotit, e pranishme në Bukën Eukaristike, është në zemër të besimit tuaj dhe të historisë së popullit tuaj. Këtu në Madrid, por edhe në shumë vende të tjera në Spanjë, Corpus Christi nuk është thjesht festë tjetër në kalendarin liturgjik, por kthim në rrënjët e besimit për të ripërtërirë dashurinë dhe besnikërinë ndaj Zotit. Procesionet solemne të kësaj dite kanë formuar devotshmërinë, artin, muzikën, arkitekturën dhe jetën e popullit spanjoll për shekuj me radhë, e edhe sot ato shprehin dhe manifestojnë ndjenjën shpirtërore të këtij vendi përmes bukurisë dhe elegancës së qilimave me lule, altarëve të rrugës, kujdesit të treguar për monstrancat dhe ekspozitat, këngët dhe veshjet. Ky nuk është manifestim i jashtëm, mbijetesë e folklorit, apo zbukurim i thjeshtë estetik: këtu bëhet fjalë për besimin në praninë e Zotit të Ngjallur, i cili është i gjallë dhe ende kalon ndërmjet nesh, bëhet bukë për urinë tonë, për jetën tonë dhe viziton zemrat tona e të historisë sonë, madje edhe ato më të errëtat.

Kështu, nëse në kremtimin eukaristik Krishti jep veten si ushqim, procesioni tregon se ai nuk mbetet i mbyllur në tempull, por, përkundrazi, del të na takojë. Jezusi ecën nëpër rrugë, kalon nëpër sheshe, viziton lagjet tona, banon në vendet e jetës sonë të përditshme, si Zot i afërt, që ecën me popullin e tij, si Zot i historisë, ngushëllim për të ligshtit, dritë për familjet, shpresë për të braktisurit, paqe për të vuajturit. Krishti që kalon nëpër rrugë, është i njëjti Krisht që identifikohet me të varfrit, të sëmurët, të vetmuarit dhe të përjashtuarit. Nuk është rastësi që këtu në Spanjë, Kisha ka kombinuar për vite me radhë solemnitetin e Corpus Christi me Ditën e Bamirësisë.

Nuk bëhet fjalë vetëm për të nxjerrë jashtë ostensorin, por për ta lënë veten të dalë përtej egoizmit, indiferencës dhe besimit të rehatshëm e privat, për t’iu përgjigjur thirrjes së tij për pendesë, për ta ndryshuar perspektivën tonë, duke mirëpritur praninë e tij që na shndërron dhe na bën ndërtues të një bote të re.

Prandaj, kujtesa historike e procesioneve të Corpus Christi nuk mund të bllokohet nga kujtimet nostalgjike; përkundrazi, ajo bëhet ftesë për sot, për jetën tonë personale, për marrëdhëniet tona, për shoqërinë, për ndërtimin e së ardhmes. Nga kjo perspektivë, duhet ta kuptojmë ftesën për të “kujtuar” atë që dëgjuam në leximin e parë: “Kujto gjithë rrugën në të cilën Zoti, Perëndia yt, të udhëhoqi këto dyzet vjet në shkretëtirë”, kujto se si kur ishe i uritur, ai të ushqeu me manë”. Është çështje “kujtimi” pikërisht për të mos harruar se kush është Zoti, që të mos biem në tundimin e mbështetjes në idhuj të tjerë dhe të ushqehemi me bukë që nuk të ngop.

 

Highlights -  Madrid - Mass, Corpus Christi Procession, June 7, 2026 - Pope Leo XIV

Ja pra një mesazh për Spanjën e sotme e të nesërme: le të mos jetë feja që e ka gjallëruar këtë vend për shekuj me radhë, muze i së kaluarës për t’u vizituar, por një shkollë feje, nga e cila të marrim frymë edhe sot. Një shkollë, që na mëson të gjunjëzohemi para Zotit dhe të afërmit tonë, sepse askush nuk mund të gjunjëzohet para Zotit dhe ta përçmojë vëllanë e tij; një shkollë që na mëson pa droje dashurinë e vetë-dhurimit, në mënyrë që ajo të rrjedhë ndërmjet nesh dhe t’i thyejë zinxhirët e çdo egoizmi; një shkollë nga e cila mësojmë se Zoti është prani e vërtetë dhe se edhe ne jemi të thirrur për të qenë të pranishëm në situatat dhe sfidat e shoqërisë, jo për t’i ikur, por për t’iu kushtuar personalisht ndërtimit të së mirës së përbashkët.

Vëllezër e motra, do të doja të kujtoja këtu Shën Manuel Gonzálezin, ipeshkvin spanjoll të tabernakujve të braktisur. Jeta e tij na kujton se Eukaristia nuk mund të nderohet vetëm në festime të mëdha, ose herë pas here, por edhe në besnikërinë e heshtur të atyre që e shoqërojnë Zotin kur duket i harruar dhe në një miqësi të përulur e diskrete që ushqehet ditë pas dite; por do të doja të kujtoja edhe vargjet poetike të Shën Gjonit të Kryqit: “E njoh mirë atë burim që rrjedh dhe shpërthen, edhe pse nata është e thellë” (Këngë e shpirtit që gëzohet duke e njohur Zotin nëpërmjet fesë). Në burgun konventual të Toledos, ku u burgos në kushte jashtëzakonisht të vështira, pak para Corpus Christi në vitin 1578, njohu në errësirën e atij burgu praninë e fshehur të Zotit, nga e cila rrjedh një dritë, që nuk njeh perëndim dhe një jetë, që nuk mbaron kurrë. Jezusi Eukaristik është “ai burim i përjetshëm, i fshehur”: burim që rrjedh dhe e shuan etjen, por pa u verbuar, pa u imponuar me fuqi të jashtme, pa u paraqitur në një mënyrë spektakolare.

Të kthehemi tek Ai me dashuri të sinqertë. Ta hapim takimin me Të, ta lëmë të shuajë thatësirën e zemrave tona, në mënyrë që të dalim në shtigjet e jetës dhe të historisë dhe t’ua sjellim njerëzve këtë rrjedhë uji të freskët – rrjedhë dashurie, paqeje, drejtësie dhe gëzimi. Le të pimë përsëri nga ky burim eukaristik, i cili nuk na mbyll në devocion privat, por na dërgon për t’ua shuar etjen vëllezërve tanë, familjeve, të varfërve, atyre që vuajnë dhe atyre që kanë humbur shpresën. Hiri eukaristik na shndërron, por na bën edhe protagonistë të transformimit të historisë si dhe një shenjë shprese për ata që takojmë.

Zoti Jezus i pranishëm në Eukaristi, ju bëftë bukë e thyer, e dhënë dhe e ofruar, në mënyrë që një jetë e plotë të lindë për ju, për familjet tuaja dhe për vendin tuaj.

R.SH. / Vatikan

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?