PD çon në Gjykatën Kushtetuese miratimin e huasë me SHBA-në. Bardhi: Kuvendi kreu 7 shkelje

Partia Demokratike ka çuar në Gjykatë Kushtetuese marrëveshjen konfidenciale me SHBA për kredinë 302 mln dollarë për blerjen e pajisjeve ushtarake.

Në një dalje për mediat, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se socialistët shkelën 7 herë kushtetutën gjatë miratimit të marrëveshjes, duke përfshirë procedurën e përshpejtuar dhe mospublikimin e saj.

Bardhi tha se shumica parlamentare ka shkelur Kushtetutën dhe standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese, duke mos u dhënë deputetëve kohën dhe mundësinë për t’u njohur me përmbajtjen e marrëveshjes dhe për të ushtruar funksionet e tyre parlamentare.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në vijim shkeljet që renditi Bardhi për miratimin e marrëveshjes: 

Swiss Digital Mobile Reklama

Shkelja e parë: Deputetëve iu mohua e drejta kushtetuese për t’u njohur me marrëveshjen përpara votimit. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit detyrojnë Kryetarin e Kuvendit që, menjëherë pas depozitimit të projektligjit, t’u shpërndajë deputetëve projektligjin, tekstin e marrëveshjes dhe relacionin shoqërues. Kjo procedurë garanton që deputetët të kenë kohën e nevojshme për ta shqyrtuar marrëveshjen, për t’u konsultuar, për të paraqitur amendamente dhe për të vendosur me përgjegjësi se si do të votojnë.

Shkelja e dytë: Deputetëve iu mohua e drejta kushtetuese për të kontrolluar mënyrën e përdorimit të fondeve publike. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit detyrojnë që projektligjet me efekte financiare të shoqërohen me raportin që përligj shpenzimet financiare. Ky raport u mundëson deputetëve të vlerësojnë ndikimin e projektligjit në Buxhetin e Shtetit dhe të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues të kontrollit mbi administrimin e financave publike. Në këtë rast, raporti që përligjte shpenzimet financiare nuk iu vu në dispozicion deputetëve.

Shkelja e tretë: Deputetëve iu mohua e drejta për të ushtruar lirisht funksionin e tyre parlamentar, përmes debatit parlamentar, paraqitjes së amendamenteve dhe votimit të informuar. Pikërisht për të garantuar ushtrimin efektiv të këtyre të drejtave, Rregullorja e Kuvendit parashikon që rendi i ditës të bëhet publik jo më vonë se dy ditë përpara seancës plenare. Në rastin e kësaj marrëveshjeje, kjo nuk ndodhi. Kryetari i Kuvendit njoftoi ndryshimin e rendit të ditës të hënën dhe, po atë ditë, mazhoranca shqyrtoi dhe miratoi marrëveshjen, duke zhvlerësuar afatin ligjor prej 48 orësh të njoftimit të rendit të ditës së seancës, i cili është përcaktuar si mekanizëm që garanton këto të drejta të deputetëve. Edhe Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar se mosrespektimi i afatit dyditor për rendin e ditës cenon parimin e demokracisë përfaqësuese.

Shkelja e katërt: Kjo lidhet me një afat tjetër shumë të rëndësishëm, i përcaktuar shprehimisht në Kushtetutë dhe i interpretuar qartë nga Gjykata Kushtetuese, kur ajo rrëzoi mënyrën se si Kuvendi miratoi Rregulloren e funksionimit të tij. Një rast identik me mënyrën se si u miratua marrëveshja me SHBA-të të hënën. Edhe praktika e ndjekur për këtë marrëveshje, njësoj si praktika e shpallur antikushtetuese për Rregulloren e Kuvendit, u zhvillua me procedurë të përshpejtuar brenda 24 orëve. Në vendimin që duhet të ishte detyrues për Parlamentin, Gjykata Kushtetuese arsyetoi, në muajin shkurt, se mosrespektimi i afatit minimal njëjavor cenon sërish parimin e demokracisë përfaqësuese, duke ua mohuar deputetëve të drejtat e tyre kushtetuese.

Shkelja e pestë: Marrëveshja u trajtua sikur Shqipëria të ndodhej në një situatë të jashtëzakonshme, me nevojë dhe urgjencë për hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit. Në fakt, nuk ekzistonte asnjë nga këto kushte. Vetë qeveria e rrëzon pretendimin për urgjencë. Marrëveshja u miratua prej saj në parim më 19 qershor dhe u nënshkrua më 22 qershor. Këshilli i Ministrave kishte më shumë se një muaj kohë për ta paraqitur projektligjin sipas procedurës së zakonshme parlamentare, por zgjodhi ta mbante një muaj në sirtar dhe, për arsye që i di vetëm Edi Rama, ta sillte në Parlament vetëm në ditën e fundit të punimeve të tij. Në këto kushte, nuk mund të flitet për një urgjencë objektive, por për një urgjencë artificiale, të krijuar nga vetë qeveria. Po ashtu, Shqipëria nuk ndodhej në një situatë që të justifikonte nevojën urgjente për t’u pajisur me pajisje ushtarake, pasi nuk përballej me ndonjë agresion të armatosur apo kërcënim të jashtëm.

Shkelja e gjashtë: 1/5 e deputetëve kanë të drejtë të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për të kontrolluar një marrëveshje përpara ratifikimit të saj. Duke e sjellë dhe miratuar marrëveshjen brenda një dite, procedura parlamentare praktikisht e ka zhveshur pakicën parlamentare nga ushtrimi i përgjegjësisë së saj për të ushtruar kontrollin e kushtetutshmërisë së marrëveshjes në kohë, për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, nëse çmonte, përpara ratifikimit, si dhe praktikisht ka zhveshur vetë Gjykatën Kushtetuese nga kompetenca për të vlerësuar kushtetutshmërinë e marrëveshjes.

Shkelja e shtatë: Qeveria ka pamundësuar hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Huasë me SHBA-të. Duke e shpallur marrëveshjen sekrete, ajo ka pamundësuar botimin e saj në Fletoren Zyrtare. Por Kushtetuta përcakton qartë se një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj bëhet pjesë e sistemit të brendshëm juridik vetëm pasi botohet në Fletoren Zyrtare. Në këto kushte, mënyra se si është trajtuar kjo marrëveshje krijon një papajtueshmëri të drejtpërdrejtë me Kushtetutën, pasi një marrëveshje që nuk botohet nuk mund të hyjë në fuqi dhe as të bëhet pjesë e sistemit juridik të Republikës së Shqipërisë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?