Përmbytjet, këshilltari i kryeministrit: Sigurim të detyruar për shtëpitë
Këshilltari i kryeministrit për Sigurinë, Sandër Lleshi ka deklaruar se më e keqja ka kaluar, por tani vjen pjesa më e vështirë.
Në emisionin “7 pa 5” në Vizion Plus ai është shprehur se autoritetet kishin një parashikim të saktë të motit, ndaj u punua paraprakisht për të pasur nën kontroll situatën e përmbytjeve.
“Problematika është e përqendruar në qarkun e Fierit dhe të Vlorës. Më e keqja kaloi, megjithëse ishte një e keqe shumë e madhe, ishte një e keqe e rrallë edhe pse kjo përsëritet shpejt. Prurja u 10-fishua në harkun e 24 orëve, Vjosa rriti jashtëzakonisht shumë prurjet. Mund të themi se ishim të përgatitur, megjithëse përballë natyrës jemi përherë të papërgatitur. Nga ana tjetër kapacitetet tona ishin në gatishmëri të plotë dhe ky ishte çelësi i suksesit që nuk patëm asnjë humbje jete, përveç elektricistit që ra në krye të detyrës. Patëm një parashikim shumë të saktë të motit, çuam shumë trupa në Fier përpara se të fillonin përmbytjet. Fati ynë ishte se ushtarët qëndruan gjatë gjithë natës”, u shpreh sot Sandër Lleshi.
Ai gjithashtu foli për sigurimin e detyruar të shtëpive, duke argumentuar se shteti nuk mund të mbajë më barrën e dëmshpërblimeve për përmbytjet. Lleshi u shpreh se shumë shpejt do të procedohet me këtë ligj.

