Ping-pongu i bashkive, lë të bllokuar 200 banorë
Kur sinjalet janë dhënë që jugu ka kaluar rrezikun e përmbytjeve, tashmë veri është bllokuar nga dëbora e cila ka izoluar 200 banorë në Theth.
Shkak për këtë është një ngërç që ka lindur mes bashkisë së Shkodrës dhe asaj të Malësisë së Madhe nga ndarja territoriale, ku ende nuk janë ndërmarrë masat e duhura për të ndërhyrë.
Rruga që të dërgon në Theth është e ndarë në dy pjesë, pjesa e asfaltuar në administrimin e Malësisë së Madhe dhe pjesa tjetër e pa asfaltuar e bashkisë së Shkodrës.
Secila nga bashkitë ka deklaruar se do të zhbllokojë atë pjesë që ka në administrim, por asnjëra nuk ka nisur punën duke lënë të bllokuar banorët, pasi dëbora arrin në 50 cm. Në Shkodër, Malësi të Madhe dhe Kukës ka disa zona me probleme nga reshjet e dëborës.

