Policia e Elbasanit arreston dy lushnjarë me lëndë narkotike në makinë
Policia e Elbasanit ka arrestuar sot dy persona, pasi janë kaput me lëndë narkotike në makinë. Uniformat blu kishte marrë informacion për transportin e një sasie kanabisi me makina në zonë dhe ka zënë në pritë një Benz-i ku udhëtonin dy persona nga Lushnja.
Polici ka arrestuar drejtuesin e mjetit, 26-vjeçarin me iniciale N.L dhe pasagjerin D.M. 40 vjeç, pasi gjatë kontrollit arritën të zbulojnë 28 kg kanabis.
Njoftimi i policisë
“Shërbimet e policisë kanë bërë bllokimin e automjetit në Belsh dhe gjatë kontrollit të automjetit që drejtohej nga shtetasi D.M., me pasagjer shtetasin N.L., është gjetur dhe sekuestruar rreth 28 kg kanabis. Në vijim të veprimeve të mëtejshme në banesën e shtetasit N.L., është gjetur një sasi e vogël rreth 1 kg lëndë narkotike. Gjithsej 29 kg lëndë narkotike e dyshuar “Cannabis Sativa”. Si rezultat u bë arrestimi i shtetasve: N.L., 26 vjeç dhe D.M., 40 vjeç të dy banues në Lushnje”, njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.


