Policia italiane aksion spektakolar për kapjen e një shqiptari, dy karabinierë përfundojnë në spital
Policia italiane ka vënë në pranga një 26-vjeçar shqiptar, pas një ndjekje të gjatë e cila përfundoi me makinën e cila mori flakë. Shqiptarit i ishte hequr patenta më parë për shkelje rrugore, por kjo nuk e kishte penguar të dilte sërish në rrugë.
Emri i shqiptarit nuk është zbuluar nga mediat italiane, por aksioni për kapjen e tij është i denjë për t’u bërë film.
Karabinierët e Treviglios e kanë pikasur ndërmjet natës së 5 dhe 6 janarit në Zingonia. Përpara postobllokut të policisë, shqiptari ka tentuar për t’i ikur policisë.
Ai ka kërkuar të parakalojë makinat e karabinierëve në Verdello, Pognano, Lurano dhe Brignano për tu kthyer më pas në Ciserano, ku ka përplasur patrullën. Ai është dorëzuar, kur makina e tij është përfshirë nga flakët, ndërkohë që dy karabinierë janë dërguar në urgjencë.
26-vjeçari iu gjet sasi e madhe alkooli në gjak, tre herë më të lartë se normat e lejuara nga ligji. Atij i është hequr patenta për drejtim të makinës në gjendje të dehur.

