Prova e re për Tahirin, Alibeaj: Fakton si drita e diellit bashkëpunimin me Habilajt
Partia Demokratike, përmes deputetit të saj Enkelejd Alibeaj, depozitoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, provën që siç deklaron ajo fakton bashkëpunimin mes ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe bandës së Habilajve.
Bëhet fjalë për policën e sigurimit të makinës tip Audi, e cila figuron me dy emra përdorues njëri prej tyre Saimir Tahiri dhe tjetri Artan Habilaj.
“Depozitova një dokument që fakton si drita e diellit bashkëpunimin mes Saimir Tahirit dhe Artan Habilajt, një anëtar i bandës së Habilajve. Bëhet fjalë për policën e sigurimit të makinës së njohur Audi. Aty tregohen dy emrat e përdoruesve, Saimir Tahiri dhe Artan Habilaj”,-tha deputeti.
Alibeaj dha edhe afatet e kësaj police. “Ky dokument mban datën 2 prill 2015 dhe ka një kohëzgjatje deri më 1 prill të 2016, që shkon përtej datave dhe kohës që u diskutua në Këshillin e Mandateve ku pretendohej se bashkëpunimi ishte në vitin 2014. Ky dokument tregon se bashkëpunimi ishte i vazhdueshëm”, u shpreh ai.

