Qeveria, edhe 1.7 miliardë euro për të tjera koncesione!

Kur kanë mbetur edhe gjashtë muaj nga data e zgjedhjeve, qeveria ka vendosur të lëshojë dorën me koncesionet. Në buxhetin e vitit 2021 është planifikuar që të jepen edhe 6 koncesione të reja, të cilat arrijnë vlerën fillestare 218 miliardë lekë ose 1.7 miliardë euro. Këto para që do merren nga buxheti i shtetit do të përdoren për koncesionin e aeroportit të Vlorës 13 miliardë lekë, koncesionin e rrugës Milot-Fier, 20 miliardë lekë, koncesioni për kontrollin e automjeteve 20 miliardë lekë, koncesion për sigurinë rrugore 5 miliardë lekë dhe dy koncesione të tjera për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe hapësirat publike. Në tetë vite qeveria e kryeministrit Edi Rama të vetmen gjë që ka bërë me shumicë është dhënia e koncesioneve. Shifra e përafërt e parave që janë dhënë për projektet me koncesion, llogaritet se arrin në 5 miliardë euro. Me 6 projektet e fundit, qeveria “Rama” e çon këtë shifër në rreth 6.6 miliardë euro duke thyer çdo rekord për financat e vendit. Me këtë model abuzimesh, qeveria e ka zbrazur buxhetin e shtetit për dekadat e ardhshme duke rritur borxhin publik.
Rreziku i koncesioneve është paralajmëruar prej kohësh nga ekspertët e financave dhe institucionet ndërkombëtare. Projektet me Partneritet Publik Privat, siç i quan qeveria, në vend të rrisin ekonominë, në fakt rrisin borxhet dhe boshatisin buxhetin e shtetit. Në këto projekte, si rregull për të mos dëmtuar buxhetin e shtetit është kompania private ajo që hedh lekët për investim dhe i merr më pas. Ndërkohë me qeverinë “Rama” ndodh e kundërta, lekët për kryerjen e punimeve e paguan shteti që në fillim, në disa raste dhe paradhënie. Ndërkohë kompanitë marrin jo vetëm paratë direkt, por përfitojnë më pas nga shitja e shërbimit që kryejnë, kur mund ti bënte shteti këto shërbime. Shembulli më konkret është i inceneratorëve. Qeveria u dha kompanive anonime 75 milionë euro për ndërtimin e impianteve. Pas ndërtimit, që realisht nuk është bërë, veç 75 milionë eurove që i përlanë nga buxheti, kompanitë do marrin para nga bashkitë në gjithë vendin për çdo tonë mbetjesh që do përpunojnë. Në këtë rast, buxheti i shtetit dhe taksat e qytetarëve vidhen dy herë. Njëherë nga kostot e fryra të projekteve që hartohen nga kompanitë në bashkëpunim me qeverinë dhe herën e dytë kur paguajnë sërish për shërbimin që marrin të privati. Skema e vjedhjes është e njohur dhe jo rastësisht të gjitha koncesionet merren nga vetëm pak kompani që kanë raporte speciale me qeverinë dhe ministrat e saj. Gjithë këto miliarda euro qarkullojnë brenda një grupi të ngushtë politikano-biznesmenësh që e kanë kthyer buxhetin e shtetit, si llogari personale bankare.
Në historinë e fundit të koncesioneve edhe më shqetësuese është koha kur qeveria ka zgjedhur të shpërndajë paratë. Shpesh herë është diskutuar që para zgjedhjeve qeveritë të ndalonin projektet e mëdha dhe të mos shpërdoronin paratë për fushatë elektorale. Kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij, jo vetëm e ka thyer këtë rregull, por ka vendosur që para zgjedhjeve të zbrzë gjithë buxhetin e shtetit. Dy janë arsyet se përse qeveria po shpejton të japë çdo gjë me koncesion. E para, është elektorale dhe lidhet me manipulimin e zgjedhjeve. Një pjesë e këtyre parave që u jepen kompanive anonime dhe më pas zhduken në parajsa fiskale nuk ka dyshim që përdoren për zgjedhjet.
Arsyeja e dytë shpjegohet me sëmundjet që kapin qeveritë kur janë në ikje. Kur një qeveri ndjen se po i afrohet humbja dhe pas ca muajsh nuk ka më pushtet, nxiton të firmosë çdo tender të dyshimtë dhe çdo aferë korruptive, me shpresën se në rrëmujë e sipër nuk do të kuptohet vjedhja. Cilado qoftë arsyeja që e ka shtyrë qeverinë të masakrojë buxhetin me koncesione, opozita duhet të garantojë qytetarët se këto para do të kthehen dhe ata që kanë firmosur do të ndëshkohen.
SPAK-u duhet të bëjë shembull qeveritarët apo ish-qeveritarët që abuzojnë me fondet e shtetit.
Mili Xhani

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?