
Një operacion i gjerë antidrogë në qytetin Águilas të Spanjës ka rezultuar në sekuestrimin e mbi 10 tonë kokainë, duke vënë në qendër të hetimeve një organizatë kriminale me origjinë shqiptare. Sasia masive e drogës u zbulua në dy kapanone industriale, të cilat, sipas mediave spanjolle, dyshohet se përdoreshin si baza kryesore për grumbullimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike jo vetëm në Spanjë, por edhe në vende të tjera të Evropës.
Zbulimi fillestar ndodhi në zonën industriale El Labradorcico, në rrethana të pazakonta. Gjatë procesit të shkarkimit të një palete, ajo ra, duke shkaktuar dëmtimin e një pjese të ngarkesës dhe shpërndarjen e disa pakove me kokainë në dyshemenë e kapanonit. Punëtorët që ndodheshin në ambient u larguan me shpejtësi nga vendngjarja, duke braktisur edhe mjetin e punës. Një patrullë e Policisë Bashkiake, e cila ishte njoftuar për një aksident të mundshëm në punë, mbërriti në vend, por nuk gjeti askënd në ambientet industriale.
Pas kontrolleve të imtësishme, autoritetet zbuluan edhe kapanonin e dytë, duke e çuar sasinë e përgjithshme të kokainës së sekuestruar në mbi 10 tonë. Raportimet theksojnë se në kapanonin e parë u numëruan më shumë se 5 tonë kokainë, ndërsa zbulimi i ambientit të dytë e rriti ndjeshëm sasinë e përgjithshme. Vlera e kësaj ngarkese të madhe në tregun e paligjshëm përllogaritet të jetë mbi 100 milionë euro, duke e bërë këtë një nga sekuestrimet më të mëdha të kohëve të fundit.
Një nga detajet më të rëndësishme të zbuluara gjatë hetimeve është se në kutitë ku mbahej kokaina ishin shënuar adresat e sakta ku duhej të dërgohej droga. Ky element pritet t’u shërbejë hetuesve të Njësisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Trafikut të Drogës për të rindërtuar me saktësi rrjetin e shpërndarjes, për të përcaktuar destinacionet e ngarkesave dhe për të identifikuar personat kyç që qëndrojnë pas organizimit të këtij trafiku ndërkombëtar.
