Sezoni në Durrës, shërbim shëndetësor pa ndërprerje
Durrësi do të ketë katër nga 28 qendrat shëndetësore që do të ofrojnë shërbim shëndetësor 24 orë në 7 ditë të javës përgjatë sezonin turistik.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu inspektoi masat e marra në plazhin e Currilave. Për herë të parë këtë verë do kenë shërbim 24 orë edhe pushuesit në Dhërmi dhe Rrjoll. Ajo thotë se të gjitha këto qendra janë pajisura me barnat dhe materialet mjekësore bazë për rastet e urgjencave mjekësore.
Qendrat shëndetësore 24 orëshe pranë zonave turistike do të jenë të hapura deri më 15 Shtator. Gjatë vitit të kaluar, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, aty morën ndihmë mjekësore rreth 50 mijë pushues.

