Sollaku: Prokuroria s’ka prova për Klement Balilin, edhe Greqia i ka të dyshimta

Avokati dhe partneri i studios ligjore greke që ndjek çështjen e Klemend Balilit në Shqipëri Theodhori Sollaku tha se Prokuroria shqiptare nuk ka prova, madje sipas tij edhe provat nga drejtësia greke janë të dyshimta.

Në një intervistë për Ora News, Sollaku tha se për këtë çështje jemi në kushtet e Stand-By, pasi nga korrespodencat e pakta me autoritet greke nuk ka asnjë përgjigje.

Sollaku përmendi gjithashtu përmendi rastin e heqjes së licensave të kompanive që Balili drejton, duke e gjykuar si vendim jo të drejtë pasi nuk është dhënë nga Gjykata apo Prokuroria.

Swiss Digital Desktop Reklama

Intervista me Theodhori Sollakun

Swiss Digital Mobile Reklama

Pyetje: Përse ka kaq shumë mister mbi këtë çështje? Cilat janë akuzat që rëndojnë mbi Klement Balilin? Ende nuk janë të njohura pas dy vitesh?

Sollaku: Unë nuk kam çfarë të them më shumë se çfarë tha avokati grek, po i njohur për çështjet penale në Athinë, por edhe në gjithë Greqinë kur ende autoritetet greke që janë iniciatorë të nisjes së këtij procedimi, akoma nuk kanë konkluduar, nuk bëhet fjalë për autoritetet shqiptare të cilat nuk kanë asnjë të dhënë më shumë se ç’kanë autoritetet greke. Edhe ato nuk i kanë të gjithë. Me të drejtë ka një bllokim komunikimi midis autoriteteve shqiptare dhe atyre greke sepse grekët e dinë fare mirë parimin: “Mos gjykimi apo dënimi dy herë për të njëjtën çështje”. Në rastin konkret duke patur parasysh që si Greqia dhe Shqipëria procedojnë për të njëjtin fakt, kjo është e ndaluar për konventat bazë të Këshillit të Europës ku Greqia dhe Shqipëria janë pjesëmarrëse në to. Kam fjalën këtu për Konventën për Transferimin e Procedimeve dhe për Njohjen e Vendimeve Penale të Huaja. Çfarë do të ndodhte? Kush ishte rruga e pastër ligjore në këtë rast? Pa paragjykuar është fajtor apo jo Klement Balili, i cili procedohet nga autoritetet greke, autoritetet shqiptare nuk kishin bazë ligjore për të regjistruar procedim dhe më tej të nxirrnin urdhër-arresti dhe të merrnin masa të tilla siç i përmendi Bashkim Balili që lidhen me pasurinë. Nëse autoritetet greke do hiqnin dorë nga  procedimi i Klement Balili në Greqi, atëherë autoritetet shqiptare do bëheshin kompetente, por një gjë të tillë nuk e kanë bërë. Rregulli i dytë, nisur nga parimi që asnjë kriminel nuk duhet të rrijë pa u ndëshkuar, nëse nuk bëhet transferimi i procedimit, atëherë rruga e dytë është njohja e vendimeve penale. Duhet pritur derisa autoritetet greke të deklaronin me vendim të formës së prerë, fajtor Klement Balilin dhe pastaj autoritetet shqiptare të mund të procedonin më tej.

Asnjë rast tjetër nuk ka ndodhur, jemi në kushtet e një regjistrimi procedimi në Shqipëri, ka muaj të tërë që nuk ka asnjë veprim në dijeninë tonë proceduriale. Ka disa korrespondenca me autoritetet e drejtësisë së Greqisë, por asnjë përgjigje nuk ka dhe jemi  në kushtet e Stand-By përsa i përket kësaj çështje në Shqipëri. Vazhdohet më tej me hetimin pasuror. Hetimi pasuror është marrë nga gjykata me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe në pjesën urdhëruese të këtij vendimi thuhet: Me qëllim mostjetërsimin e pronave të paluajtshme, kampit të punëtorëve dhe disa apartamente që ju përmendët, duhet që të vendoset sekuestro. Por është për të ardhur keq edhe në ekzekutim të këtij vendimi gjykate, nuk është vendosur bllokimi në hipotekë sepse vetëm kështu mund të mos bëhet tjetërsimi i pronës, por është marrë në administrim një kompani, që në vendimin e gjykatës nuk thuhet gjëkundi. Për më tepër, vendimi i fundit që përmendi Bashkim Balili ka të bëjë me heqjen e licensave, veçanërisht kompanive që ai drejton. Kjo është e pafalshme sepse nuk ka asnjë bazë ligjore heqja e licensës së një kompanie për shkak se vëllai dyshohet se mund të ketë bërë një vepër penale, nuk ndodh. Kjo ka ndodhur vetëm para viteve 90, në kohën e diktaturës, në kuadrën e luftës së klasave. Kjo, në një shtet demokratik është e pafalshme. Ne mendojmë që vendimi i organit administrativ që kanë hequr licensën për të cilën foli zoti Balili, është i paligjshëm nisur dhe nga një aspekt tjetër. Prokuroria dhe gjykata gjykuan që duhet vendosur sekuestro, pra të bllokohet derisa të sqarohet situata e pronësisë së apartamenteve dhe kampit të punëtorëve. Nëse do kishte të dhëna që gjithë veprimtaria e biznesit të fisit Balili rridhnin nga veprimtari kriminale, ishte gjykata dhe prokuroria ajo që do të ndërmerrte hapa për bllokimin apo heqjen e licensave. Kur një organ drejtësie siç është prokuroria dhe gjykata nuk e kanë bërë një gjë të tillë, organi adminstrativ është në kapërcim të kriterit ligjor për heqjen e licensave. Për më tepër, siç përcaktohet në atë akt administrativ të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kriteri i mungesës së besueshmërisë së një subjekti për të ushtruar veprimtarinë në një fushë të caktuar, siç është ai i ruajtjes fizike është moment kur jepet licensa. Ndërsa kur hiqet licensa ka kritere të tjera, të cilat në rastin konkret nuk janë repsektuar. Përveç procedimit penal, masa të tjera të karakterit administrativ për bllokimin e veprimtarisë ekonomike, bllokimin e shoqërive janë në shkelje flagrante të ligjit.

Pyetje: Përse nuk shkon në gjykatë Klement Balili nga prokuroria shqiptare?

Sollaku: Nuk shkon në gjykatë sepse nuk ka asnjë provë prokuroria shqiptare. Autoritetet greke që kanë disa vite që kanë nisur procedimin u ka dalë rastësisht në një çështje që ata ndiqnin, por ende janë të paqartë. Është Klement Balili ai që flet në telefon apo jo. Pra, provat edhe në autoritetin e drejtësisë greke janë shumë të dyshimta që akoma nuk guxojnë ta çojnë në gjyq apo ta pushojnë çështjen, tek ne nuk ka asnjë fakt, asnjë provë me këto të dhëna që ka dosja sot të mundet të çohet në gjykatë.

Pyetje: Ka afate ligjore për këtë gjë?

Sollaku: Afatet ligjore janë, por kur bëhet fjalë për organizata kriminale siç i procedon  autoriteti grek, afatet janë të gjata. Mund të jenë 2 vjeçare, ndoshta edhe 3 por gjithsesi duhet që autoritetet shqiptare, prokuroria, gjykata duhet të respektojnë parimin: I sanksionuar në Konventën Europiane të të drejtave të njeriut, i sanksionuar në Kushtetutën Shqiptare, i sanksionuar në Kodin e Procedurës Penale. Nëse autoritetet greke procedojnë, autoritetet shqiptare nuk kanë kompetencë të procedojnë për të njëjtin fakt. Të presin derisa vendimi të ketë marrë një formë të prerë nëse do dënohet dhe më pas ta njohin në Shqipëri dhe mund të kërkojnë futjen në burg të Klement Balilit. Për më tepër dhe aspekti i dytë me transferimin e procedimit. Nëse autoritetet greke do ta veçonin çështjen e Balilit në Greqi nuk do procedonin, ato do t’ia dërgonin autoriteteve shqiptare për të proceduar dhe këtu pastaj Prokuroria Shqiptare, Gjykata Shqiptare ishte e lirë të zbatonte gjithë ato të drejtat që i jep Kodi i Procedurës Penale. Nuk ka ndodhur një gjë e tillë, jemi në një situatë kaotike sepse pyetja shtrohet ‘Nëse do procedohej në Shqipëri dhe autoritetet shqiptare do e quanin të pafajshëm, autoritetet greke do e quanin të fajshëm, cili vendim do zbatohej? Apo e kundërta? Pra parimi është shumë i rëndësishëm për tu respektuar për të shmangur këtë situatë kaotike, potenciale që mund të ndodhë.

/Ora News

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?