Tapë në makinë, shqiptari i bën “zbor” policisë italiane
Aktualitet E Mërkurë, 21 Korrik 2021 01:59
Një 26 vjeçar shqiptar, emri i të cilit nuk është bërë ende i ditur nga policia italiane, ka bërë një “gjullurdi” të vërtetë në Bergamo me makinën e tij.
Skena i ka ngjarë një filmi fill pas momentit kur i riu shqiptar nuk i ka ndaluar patrullës së policisë në zonën e Zingonia di Ciserano. Shqiptari ka shtuar gazin e policia i është në ndjekje, pa e ditur se e gjithë ndjekja do të kthehej në një “film”.
Patrulla në fjalë nuk ka mundur ta ndalojë të riun dhe pas disa minutash ka thirrur përforcimet. Ndjekja nuk ka zgjatur pak, por disa orë. Në aksion për kapjen e të riut kanë ardhur një sërë përforcimesh dhe në një moment makina e shqiptarit është përplasur me njërin ndër automjetet e karabinierëve që i ishin vënë pas.
Pas përplasjes, makina e shqiptarit është dëmtuar në pjesën e parme në motor. Por sërish shqiptari nuk është ndaluar, derisa motorri i makinës e ka lënë dhe ka marrë flakë. Fill pas daljes jashtë përdorimit të makinës, për shqiptarin nuk ka patur rrugëdalje tjetër përveçse dorëzimit.
Për habinë e oficerëve të policisë, shqiptari ka qenë në gjëndje të dehur. I riu nuk kishte me vete as patentë.

