Të jesh peng, i pengut të tjetrit
Aktualitet E Shtunë, 2 Tetor 2021 08:12
Nga Daniel Muçaku-
Shqipëria pret me padurim që të hap konferencën e parë ndërqeveritare mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, por duket se prapë do ketë naze e inate bullgare.
Ndërkohë që para dy apo tre viteve Shqipëria nuk merrte Negociatat me BE për fajin e saj se nuk kishte plotësuar kushtet e Brukselit dhe parlamentit gjerman, por prej një viti e kusur Tirana zyrtare i ka plotësuar kushtet e vendosura. Tani mbetet peng nga Maqedonia e Veriut. Edhe Maqedonia është peng i Bullgarisë prej sherreve të tyre historike.
Por nga kjo sherrnajë e pësojnë shqiptarët, sepse me hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare do ketë me shumë projekte financiare për Shqipërinë nga Bashkimi Europian, me shumë demokraci se sa kemi, me shumë kontroll nga Brukseli te financat shqiptare.
Kjo nuk duket se do të ndodhë edhe pasi javën e ardhshme do ketë një Samit të BE me shtetet e Ballkanit Perëndimor e me vonë takimi shefave të shtetëve europianë për të vendosur nëse do fillojnë bisedimet zyrtare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Me sa shikohet akoma nuk ka premtim nga Bullgaria për Maqedoninë, dhe kështu mëqënëse BE ka vendosur si kusht pa logjikë se “duhet të dyja shtetet të jenë në një vendim të Brukselit”, ka mundësi që edhe këtë herë të digjet Shqipëria.
Pse BE nuk na ndan nga Maqedonia, e cila po na pengon prej konfliktit që ka me Bullgarinë? Pse duhet të jemi peng i një shteti ndërkohë që sipas Presidentes se BE, Ursula Von der Leyen, e cila ishte në Tiranë, deklaroi se Tirana zyrtare ka përmbushur të gjitha kriteret për në BE?
Sot kryeministri Edi Rama që ndodhet në një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe takoi komisionerin e BE, Borrell dhe kërkoi nga Brukseli të mos na zvarrisë më. Pas takimit me Borrel, kryeministri Rama ka postuar këtë shënim:
“Takimi me Josep Borrell, kryediplomatin e BE- së dhe ndërmjetësuesin e bisedimeve Kosovë-Serbi, me të cilin folëm për Samitin e javës së ardhshme mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, për panoramën e situatës në rajon, si edhe për konfliktin e hapur nga Bullgaria me Maqedoninë e Veriut, ku është marrë peng edhe Shqipëria”, shkruan Rama.
Tani shtrohen disa kërkesa nga publiku shqiptar në drejtim të shtetëve europiane.
Pse po na pengoni të shkojmë me shpejt në Europë, ndërkohë që për hir të konflikteve politike që keni mes vetes, po krijoni pesimizëm te populli shqiptar, popull që ka qenë përherë europian edhe pa u pranuar në BE? Pse po krijoni një ndjenjë antieuropiane të një pjesë e rinisë e cila e ka parë Europën si dritën e diellit për liritë e saj?
Pse po hapni hapësira për Kinën e Rusinë në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që aleati më i madh i shqiptarëve, Amerika, po iu kërkon publikisht që duhet të mos vononi me Shqipërinë?
Çdo vonesë e BE tani ndaj Shqipërisë do ta bëjë rininë dhe moshën për punë të iki nëpër Europë, për të gjetur shpresa për një jetë më të mire andej ndërkohë që nëse nuk vononi ju si BE, mundet të rritet standarti i jetës në Shqipëri dhe rinia ta gjejë veten në atdheun e saj.
Ndaj ka nevojë që politika zyrtare e Shqipërisë të jetë më pragmatiste dhe të përdorë edhe presionin ndaj shteteve të BE, kur Kina po lutet për t’u futur në vendet e Ballkanit.
U bënë shumë vite që për fajin tonë, por edhe të BE, nuk ka fonde për rrugët apo për të krijuar vende pune me investime që duhet të vijnë nga Europa. Natyrisht që përgjegjsia mbetet e qeverisë që drejton vendin tonë, ndonëse indiferenca dhe mos dakortësitë midis shteteve anëtare të BE po prishin rritjen ekonomike të shqiptarëve.
Europa deri tani ka fjalë të bukura, e jo vendime. Nëse nuk do të jap vendime proShqipërisë, sepse e meritojmë dhe ku të gjithë zyrtarët e Brukselit thonë se duhet që Shqipëria të jetë më pranë BE, e ndërkohë nuk bëjnë asgjë, atëhere mijërat e shqiptarëve do t’ju mbeten dyerve të Europës për azil, për punë e jetesë nga shtetet e tyre.
Shqipëria po braktiset nga pak e përditë, edhe për fajin e BE. E kjo do jetë keq për vendin tonë, duke mos harruar se problemet që do ju krijojnë shqiptarët do jenë kokëçarëse zyrtarët europianë.