Tokat bujqësore, afati i ri për kalimin e tyre në pronësi të përfituesve
Hyjnë në fuqi pas 15 ditësh, ndryshime në ligjin nr. 171/2014, “Për përfundimin e procedurave të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, në pronësi të përfituesve”.
Ky ligj tashmë i botuar në Fletoren Zyrtare, nënvizon se: “Afati për përfundimin e procedurave të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve, mbyllet më datë 31 dhjetor 2018”.
Kuvendi, vendosi për ndryshimet në ligjin nr. 171/2014, për përfundimin e procedurave të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve në pronësi të përfituesve, në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave.
Ligji i ri u miratua më datë 30.11.2017, si dhe u shpall me dekretin nr. 10683, datë 15.12.2017, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.
Dokumentacioni
Procesi i plotësimit të dokumentacionit të pronësisë mbi tokën bujqësore, për territoret e ish-ndërmarrjeve bujqësore kryhet nga bashkitë. Për rastet kur komisioni i ndarjes së tokës, ka ndarë tokën bujqësore, por nuk ka plotësuar aktet e marrjes së tokës në pronësi, ligji ngarkon kryetarët e bashkive, t’i plotësojnë ato, në përputhje me kriteret dhe procedurën e përcaktuar në këtë ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij. Por problemi ndërlikohet nga reforma administrative.
Bashkitë e reja, të cilat dolën nga zgjedhjet lokale të vitit 2015, në vijim të punës së filluar nga komunat e bashkitë e mëparshme, po punojnë për realizimin e këtij procesi.
Mospërfundimi i tij në afatin e planifikuar, ka ardhur për shkak të mosnjohjes së tij nga administrata e re, përgatitjes së kapaciteteve njerëzore dhe të bashkëpunimit të mjaftueshëm me institucionet e tjera shtetërore.
Aktualisht rezulton që janë miratuar vetëm një numër i vogël titujsh pronësie, ndërsa një numër bashkish ndonëse kanë nisur procesin, ende janë në fillim të tij.
Nëse ky afat nuk do të shtyhet, pra procesi nuk përfundon në rrugë administrative, përfituesit do të detyrohen t’i drejtohen organeve gjyqësore (kjo e drejtë është e parashikuar në ligj), por do të ketë më tepër kosto për ta.

