Tragjedia e 9 janarit, familjarët: Krim shtetëror, ja çfarë presim
Kur kanë kaluar 14 vite nga tragjedia e 9 Janarit, familjarët nuk kanë rreshtur së kërkuari drejtësi për viktimat. Shoqata 9 Janari përkujton sot përmes një deklarate të përbashkët, ku kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas tyre, viktimat dhe të mbijetuarit nuk mund të trajtohen si kriminelë për shkak se tentuan të emigronin në Itali në kërkim të një jete më të mirë. Ata theksojnë se kriminelët ishin ata funksionarë, pjestarë të strukturave qëndrore dhe lokale të policisë së shtetit që organizonin trafik të qënieve njerëzore dhe drogës drejt Italisë.
Ata hedhin akuza se rrjeti ishte i mirëorganizuar dhe të përfshiheshin 30 oficerë nga Shkodra deri në Vlorë. Sipas tyre edhe pse asokohe u shkakruan, sot një numër i madh i tyre janë në detyra kyçe.
Në tragjedinë e 9 Janarit 2004 në Vlorë gjetën vdekjen 28 persona. 20 persona u gjeten të mbytur pasi udhëtonin me një gomone të nisur nga Porti i Vlorës, ndërsa 8 të tjerë edhe sot rezultojnë të zhdukur.
Udhëtimi i shpresës për një jetë më të mirë, u mori jetën këtyre personave të moshës nga 15 deri në 33-vjeç të gjithë nga Shkodra. Ata kishin paguar 1500 euro për udhëtimin që përfundoi me mbytjen e tyre në ujrat e Jonit.


