Vdekja e Florencit, MEPJ tregon versionin e saj

U desh një protestë që autoritetet në vend, të paktën të reagonin për vdekjen e 23-vjeçarit, Florenc Beqiraj në Marsejë të Francës. Pas ambasadës franceze në Tiranë, ka reaguar edhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, në Tiranë, duke bërë me dije se ambasada shqiptare në Francë, është njoftuar hap pas hapi për ngjarjen, nga autoritetet vendase.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e Republikës së Shqipërisë, informon opinionin publik se Ministria e Brendshme e Francës ka njoftuar Ambasadën e Shqipërisë në Paris, përmes një komunikimi zyrtar, mbi vdekjen e shtetasit shqiptar Florenc Beqiraj në qendrën spitalore Marseille-Nord.

Në këtë komunikim sqarohet se, më 14 dhjetor 2017, rreth orës 17.30, shtetasi Florenc Beqiraj u gjet i pandërgjegjshëm në dhomën e tij, në Qendrën e Ndalimit Administrativ në Marsejë, pasi ishte shoqëruar më parë atje pas vendimit administrativ të Prefekturës, për largim nga territori francez.

Swiss Digital Desktop Reklama

Zotit Florenc Beqiraj iu dha menjëherë përkujdesja e urgjencës dhe ai u transportua në qendrën spitalore të Marseille-Nord. Prokuroria e Marsejës u njoftua në të njëjtën ditë për ngjarjen dhe një hetim mbi ngjarjen ka nisur menjëherë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Pas disa ditësh në koma të thellë, në datën 21 dhjetor, ora 18.30, u konstatua vdekja e z. Florenc Beqiraj. Trupi i tij u transportua në pavionin e mjekësisë ligjore të Marsejës, më 23 dhjetor, konform udhëzimeve të Prokurorisë, e cila kërkoi të kryhej autopsia. Autopsia do të kryhet në ditët e ardhshme, ndërkohë që hetimi vazhdon.

Ministria e Brendshme Franceze nënvizon se do të vazhdojë të informojë Ambasadën e Republikës së Shqipërisë për të gjitha informacionet e nevojshme që do të përcillen nga Prokuroria e Marsejës, mbi vazhdimin e hetimit që po kryhet. Ndërkohë që Ambasada po kujdeset për kryerjen e të gjitha procedurave për kthimin e trupit të të ndjerit në Shqipëri.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së Florencit dhe dëshiron të sigurojë opinionin publik se mbrojtja e interesave të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj jashtë Shqipërisë përbën prioritet absolut. Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje aktorëve politikë të dëshmojnë urtësi e të mos bien në kurthin e instrumentalizimit politik të kësaj fatkeqësie.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?