VIDEO/ Patozi: Protestat shpërthejnë nga revoltat qytetare dhe jo prej partive
Ndërsa opozita e bashkuar ka nisur përgatitjet për mbajtjen e protestës kundër qeverisë Rama më 27 janar, ish drejtues të lartë të Partisë Demokratike janë skeptikë nëse kjo protestë do të përmbushi misionin e saj.
Në një intervistë dhënë për RTSH, ish-nënkryetari i PD, Astrit Patozi, tha se protesta reale janë ato që shpërthejnë nga revolta qytetare dhe jo ato që mbahen për shkak të Partive.
Sipas Patozit në kushtet kur opozita merr përsipër të nxisë protestat masive, kjo sipërmarrje kërkon lidership të fortë politik, tiparet e të cilit në gjykimin e tij, qartazi mungojnë tek Lulzim Basha.
Ish numri dy i PD për një kohë të gjatë, vlerëson se Basha ende vijon të anashkalojë platformën e shumë ish drejtuesve të PD-së, për ndryshime statutore. Për ish-deputetin, ky është një problem që i mbetet Bashës.
Nënkryetari i PD i cili bashkë me disa figura të njohura të partisë është distancuar nga lidershipi i ri i partisë, thotë në intervistë se për ta ka më kthim pas. Patozi bën të ditur se do të vijojnë takimet me demokratët në mbarë vendin, me qëllim ringritjen e Partisë Demokratike.
Ata janë të vendosur për të mos i dhënë “kënaqësinë” askujt, me krijimin një force të re politike.
Për Patozi ka rëndësi jetike respektimi i forumeve të Partisë, që janë anashkaluar nga Basha sipas tij edhe në aleancën e krijuar me LSI-në. Këtë marrëdhënie ai e gjykon të panatyrshme, të parakohshme, ndërsa këmbëngul për informacionin që duhet tu jepet demokrateve nga kryetari Basha.
Ndërsa selia blu tashmë vizitohet dendur nga bashkëpunëtorët e Bashës dhe aleatët e vjetër dhe të rinj, ende nuk ka sinjale që në seli të rikthenen ish drejtues dhe deputetë të saj.

