PD: Rama të japë dorëheqjen. Balla: Investimi do të bëhet, dilni në protestën që bën thirrje ”Berisha në burg”
Situata e Zvërnecit, tema më aktuale në vend, ku prej 11 ditësh po protestohet si kurrë më parë, është edhe tema që po diskutohet në seancën plenare këtë të enjte në Kuvend. Në fjalën e saj, deputetja e PD-së, Ina Zhupa tha se realiteti kërkon dorëheqjen e Edi Ramës dhe një qeveri tranzitore, ndërsa akuzoi mazhorancën se po injoron kërkesat e qytetarëve që protestojnë kundër projekteve të diskutueshme. ”Realiteti kërkon dorëheqjen e Edi Ramës, kërkon një qeveri tranzitore, një parlament që miraton shfuqizimin e ligjeve kundër interesit publik”, tha Zhupa.
Më pas fjalën e mori kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla, i cili replikoi duke thënë se Shqipëria nuk e ka luksin të humbasë një investim 4 miliardësh. Duke iu referuar Berishës, ai u shpreh se “bufi i madh” u shpreh pro investimit në Zvërnec dhe tashmë ndryshoi trajektore duke sjellë 4 projekt-ligje, që do të rrëzohen.
“Më pëlqen që keni disa ditë që ju zogjtë e bufit, ju duket vetja flamingo, ose keni filluar të silleni si flamingo. Bëni zhurmë sa të doni, vidheni edhe protestën po deshët, investimi do të bëhet, Shqipëria s’e ka luksin të humbi 4 miliardë. Kundër kujt sistemi jeni ju? Në një protestë ku thirret ‘Sali Berisha në burg’”, tha Balla.
Zhupa: Ky Kuvend nuk mund të jetë i ndarë nga realiteti qytetarëve në shesh. Keni projekt ligj për shfuqizimin e zonave të mbrojtura ardhur përpara protestës. Kjo një prej kërkesave të protestuesve. E keni lënë pa datë. Realiteti kërkon dorëheqjen e Edi Ramës dhe një qeveri tranzitore.
Balla: Ky ishte fiks një fjalim flamingo nga Temu. Edhe më pëlqen shumë që keni disa ditë që ju zogjtë e bufit ju duket vetja si flamingo, edhe pse me respektin më të madh, kush ju ka komanduar ju, kush ju ka autorizuar… bëni zhurmë sa të doni. Shkoni dhe në protestë po deshët, sa i përket katër ligjeve ne jemi kundër. Jemi kundër dhe do t’i rrëzojmë ato sepse jemi votuar për ta zhvilluar Shqipërinë. Ju një javë më parë dolët me kryedrejtuesin tuaj, Bufin e madh, dhe thatë që jeni pro investimit. Tani kush është qëllimi i 4 projektligjeve. Ne jemi pro investimit, investimi do të bëhet. Shqipëria nuk e ka luksin të humbë 4 miliardë.
Pse bëheni kaq qesharakë? Zonja që sapo foli sapo citoi tekstin e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Iranit, që doli dje hapur se dhe ti më dukesh si zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit. Po ju ç’kërkoni në protestë? E kuptoj atë djalin atje, se ata atë punë kanë. Pashë një deputet që thoshte: “Jemi në protestë kundër sistemit”. Kujt sistem? Një protestë që thërret Sali Berisha në burg. E dimë fare mirë që kemi një kontratë me qytetarët shqiptarë.
Doli zonja dhe tha: “Jemi për paketën e integrimit”, ai u votua. Ju nuk e keni mendjen në mësim. Ne jemi këtu, do e vazhdojmë detyrën tonë. Orë për të humbur nuk kemi. Ju deri më tani, për ta ditur, ende nuk keni votuar asnjë ligj që lidhet me paketën e integrimit. Ndac vini votoni, ndac jo, kjo pak rëndësi ka. Për katër projektligjet që keni sjellë, thatë që do sillnit kërkesë për procedurë. Të katër projektligjet tuaja do të rrëzohen dhe projekti në Zvërnec do të vazhdojë dhe Shqipëria do ecë para në BE.
Nis seanca plenare në Kuvend, 6 interpelanca, mes tyre edhe me Ramën
KOHA JONË SONDAZH

