Home Aktualitet Nikoll Lesi: ...

Nikoll Lesi: Albin Kurti shembull korrektësie si qeveri, nuk fut duart në zgjedhje

383
0

Nga Nikoll Lesi

Sipas rezultateve të të dyja raundeve të zgjedhjeve lokale në Kosovë, Lista Serbe ka fituar 10 komuna, e pasuar nga Partia Demokratike me 9 komuna, Lidhja Demokratike me 7 komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5 komuna, ndërsa lëvizja Vetëvendosje me 4 komuna.

Zgjedhjet për pushtetin komunal ishin parë si një sprovë për lëvizjen Vetëvendosje në pushtet e cila më 14 shkurt të këtij viti në zgjedhjet parlamentare, fitoi mbi 50 për qind të votave.

Ndonëse VV mori një goditje të rëndë në këto muaj qeverisje dhe kjo do të analizohet brenda strukturave partiake të saj, por një gjë duhet vlerësuar: Qeveria nuk përdori pushtetin e saj për blerë apo vjedhur zgjedhjet siç ndodh rëndom në Shqipëri.

Albin Kurti si kryeministër mund të përdorte metodat shqiptare të Shqipërisë, metoda të cilat vjedhin apo blejnë zgjedhjet me paratë e krimit dhe korrupsionit. Por Albin Kurti nuk i përdori.

Dhe humbi!

Me mirë një humbje e tillë se sa të preket vota e lirë.

Rezultatet e votimeve në Kosovë dalin në kohë rekord, brenda natës së zgjedhjeve kurse në Shqipëri vonojnë me javë të tëra duke i manipuluar.

Ndaj Albin Kurti mbetet një shembull për shqiptarët, pasi nuk fut duart në zgjedhje.

Ndërsa në shtetin amë, në Shqipëri, që prej 26 majit 1996 e deri tani nuk ka zgjedhje korrekte, pasi preket e dhunohet vota.

Në të vertetë institucionin e zgjedhjeve, të votës së lirë që nuk tjetërsohet e shkatërroi Sali Berisha në maj 1996. Më pas e vazhduan Fatos Nano, Ilir Meta dhe Edi Rama.

Një shtet i vogël si Kosova jep shembullin e respektimit të votës së lirë, ndërsa këtej në Tiranë bëhet nami aqsa në këto zgjedhje të fundit politike një votë shkoi deri në 500 euro në Laprakë të Tiranës.

Në Kosovë klasa politike është ndërruar e gjitha ndërsa në Tiranë kemi të njëjtët tash 30 vite.

Në Kosovë nuk e prek njeri votën, në Tiranë e tjetërsojnë si të dojë pushteti.

Ndaj Albin Kurti nuk ka humbur si demokrat. Ai ka humbur politikisht si qeverisje, por jo se ka prekur apo tjetërsuar votën e qytetarëve.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit