Home Aktualitet Analizë: Apli...

Analizë: Aplikimi i dozës së tretë, protokollet dhe strategjia e ndjekur nga autoritetet shqiptare

92
0

Nga Sidorela Bakollari | Citizens Channel

Duke nisur nga 1 nëntori, qytetarët që janë mbi 60 vjeç në Shqipëri mund të vaksinohen me një dozë të tretë të vaksinës për koronavirusin.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë vetëm në 11 ditët e para të nëntorit u kryen 18,434 doza të treta.

Aplikimi i një doze “booster” tek kjo grupmoshë e popullsisë u rekomandua nga Akademia e Shkencave (ASH) më 20 shtator të këtij viti.

Referuar të dhënave të përftuara nga studimi që ka nisur që vitin që shkoi (në shtator 2021 u prezantuan të dhënat e Fazës III), ASH u rekomandoi autoriteteve të imunizimit që të kryhet sa më shpejt vaksinimi i të paktën 20 për qind të popullsisë, të aplikohet doza e tretë tek grup-moshat mbi 60 vjeç si dhe të nisë vaksinimi i fëmijëve mbi 12 vjeç.

Rekomandimet e Akademisë së Shkencave u morën në shqyrtim nga Komiteti i Imunizimit dhe më 22 tetor Komiteti Teknik i Ekspertëve, organi kolegjial këshillues i ngritur nga Ministria e Shëndetësisë pas konfirmimit të rasteve të para me Covid-19 në vend, i dha zyrtarisht “dritën jeshile” aplikimit të dozës së tretë në Shqipëri.

Çfarë dimë për dozat përforcuese

Organizata Botërore e Shëndetësisë rëndit tre arsye se përse një qytetar mund të ketë nevojë për një dozë të tretë të vaksinës për koronavirusin. Sipas OBSH-së është parë e arsyeshme që një dozë përforcuese t’u bëhet personave me imunitet të kompromentuar.

“Ka informacione që personat me imunitet të kompromentuar kanë nevojë për një dozë të tretë, nëse dy dozat e para nuk japin efektin që u japin personave të shëndetshëm,” ka deklaruar Dr. Kathrine O’Brien, shefe e Departamentit të Imunizimit në OBSH.

Arsyeja e dytë që, sipas agjencisë së OBSH-së mund të rekomandohet një “booster dose” është fakti se studimet e kryera deri më tani tregojnë se me kalimin e kohës, imuniteti i fituar nga dy dozat e para fillon të zbehet.

“Një dozë e tretë mund të bëhet nëse përgjigja imunitare e dhënë nga vaksina nuk ka treguar rezultate optimale ndaj atyre që quhen variante shqetësuese të koronavirusit.”

Megjithatë, OBSH thekson se të gjitha vaksinat e aprovuara deri më tani nga rregullatorët kanë treguar se performojnë mirë. Vetë kreu i kësaj organizate Tedros Adhanom u ka bërë disa herë thirrje vendeve të pasura për vendosjen e një moratoriumi ndaj dozave të treta të vaksinave.

“Sot po bëj thirrje për zgjatje të moratoriumit deri për të paktën në fund të këtij viti në mënyrë që çdo vend të ketë vaksinuar të paktën 40 për qind të popullatës,” është shprehur ai në shtator.

Vendi i parë që aplikoi dozat përforcuese ishte Izraeli, i pari shtet në botë që nisi një fushatë masive vaksinimi dhe në të njëjtën kohë, vendi i parë ku u vërejt se efekti mbrojtës i vaksinave bie me kalimin e kohës.

Më 30 korrik 2021 Izraeli aprovoi dozën “booster” të vaksinës së prodhuar nga Pfizer -BNT162b2 për të gjithë personat mbi 60 vjeç që ishin vaksinuar të paktën pesë muaj më parë me dy dozat e para.

Në anën tjetër të botës, presidenti amerikan Joe Biden ishte i pari që dha shembullin edhe për qytetarët e tjerë amerikanë duke u vaksinuar më 27 shator me një dozë të tretë Pfizer, pasi CDC aprovoi dozën e tretë tek amerikanët mbi 65 vjeç.

Strategjia e autoriteteve shqiptare të shëndetit për aplikimin e dozës së tretë

Citizens Channel kontaktoi me Institutin e Shëndetit Publik për të mësuar me detaje rreth protokolleve që do të ndiqen në këtë fazë për aplikimin e dozës përforcuese tek qytetarët shqiptarë.

ISHP sqaron se programi “booster” do të aplikohet sipas radhës, siç është aplikuar programi i vaksinimit primar ndaj Covid-19 duke nisur nga ata që e kanë përfunduar vaksinimin që në fillim të vitit. Prioritet do t’u jepet personave që nuk kanë të dhëna se e kanë kaluar virusin.

Të kualifikuar për të marrë dozën e tretë në vendin tonë janë të gjithë personat që jetojnë dhe punojnë në institucionet e kujdesit afatgjatë, qytetarët mbi 60 vjeç, fëmijët nga 16-17 vjeç që janë në grup risku (në këtë rast aplikohet vaksina Pfizer) qytetarët nga 18-59 vjeç që kanë sëmundje që i vendosin në grup risku, punonjësit shëndetësorë dhe ata socialë të vijës së parë.

Doza “booster” duhet të ofrohet jo më parë se gjashtë muaj pas përfundimit primar ndaj vaksinimit me Covid-19.

Kombinimi i vaksinave

Në bazë udhëzimeve aktuale, një person që ka marrë dy doza të vaksinës kineze “Sinovac” mund të marrë si dozë të tretë një vaksinë “AstraZeneca” ose “Pfizer”. Një qytetar që ka marrë dy doza “Covishield” mund të marrë si dozë të tretë vaksinën e “AstraZeneca”, “Pfizer”, ose anasjelltas. Kurse qytetarët që janë vaksinuar me vaksinën ruse “Sputnik V”, si dozë të tretë do të marrin “Pfizer” ose “Coronavac”.

SKEMA

Dy doza Sinovac- Astrazeneca /PfizerBioNtech
Dy doza Covishield- AstraZeneca/Pfizer
Dy doza Sputnik V- Pfizer/ Coronavac
Rruga që ndiqet për të aplikuar për një dozë të tretë

Personat që kërkojnë të kryejnë një dozë të tretë vaksine ndaj Covid-19 duhet të paraqiten tek mjeku i familjes ose tek qendra e vaksinimit për të parë nëse hyjnë në kategorinë që e përfitojnë në këtë fazë vaksinimin shtesë.

Por cilat janë përfitimet që sjell një dozë e tretë tek ata që e marrin dhe cilat janë studimet që kanë marrë parasysh autoritetet e shëndetit për të vendosur aplikimin e dozës “booster” në vend?

“Sipas të dhënave të përfituara deri tani, tek disa persona kemi ulje të imunitetit ndaj Covid-19 pas gjashtë muajve, jo vetëm tek të moshuarit, por edhe tek të rinjtë. Programi i aplikimit të dozës së tretë booster, apo rikujtesë është që të ruajë qëndrueshmërinë ndaj formave të rënda të Covid-19, hospitalizimeve dhe vdekjeve sidomos tek ata që janë shumë vulnerabël dhe me risk të lartë në këtë periudhë kohe”, u shprehën përfaqësues të Insitututit të Shëndetit Publik për Citizens Channel.

Sipas ISHP-së “studimet që janë marrë parasysh janë ato të kryera në vende si SHBA; Britani e Madhe, Gjermani që kanë kryer nëpërmjet institucioneve të tyre kërkimore, studime në lidhje me mënyrën e kombinimit dhe efektivitetin e tyre”.

Si do të veprohet në rastin e personave me imunitet të komprometuar

Shumë persona që kanë frenim të imunitetit si pasojë e gjendjes apo trajtimit të tyre shëndetësor kanë rrezik ndaj Covid-19 pavarësisht se i kanë marrë dy dozat e vaksinimit.

“Megjithëse mundësia për mbrojtje shtesë nga doza e tretë është e panjohur, në nivel individual këta persona mund të përfitojnë.”

ISHP sqaron se derisa të kemi më shumë të dhëna, çdo ofrim i një doze të tretë për personat që kanë frenim të imunitetit do të bazohet në një supozim se një dozë e tretë mund të ofrojë mundësinë për mbrojtje më të mirë dhe se nuk ka gjasa që të japë dëm apo disavantazhe të rëndësishme.

Sipas protokollit aktual, doza e tretë duhet të jepet kur është e mundur, në periudha kur frenimi i imunitetit është minimal dhe të paktën 28 ditë deri në 127 ditë nga doza e dytë, pasi shumica e studimeve kanë vlerësuar një interval prej 2-3 muajsh midis dozave.

Po ashtu, sipas Institutit të Shëndetit Publik doza e tretë e vaksinës nuk ndryshon në sasi injeksioni. Pra është e njëjta sasi që është marrë si në dy dozat e bëra paraprakisht.

Pas aprovimit të “booster dose”, më 2 nëntor një numër mjekësh u paraqitën në “Air Albania” apo pika të tjera për të nisur vaksinimin me dozën e tretë.

Ndërsa mbikëqyrte procesin e vaksinimit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u shpreh se për të siguruar vaksina të mjaftueshme për të mbuluar dy dozat e para, por edhe ato të treta, po vijojnë negociatat me kompanitë prodhuese.

“Po vijojmë të negociojmë me kompaninë Pfizer por nga ana tjetër edhe më të gjithë kompanitë të cilat janë në marrëveshje me instrumentin Covax, në mënyrë që të vijojmë të sigurojmë vaksinat për të gjithë qytetarët edhe për raundin e parë dhe të dytë, pra vaksinën e dozës së parë dhe të dytë, por gjithashtu edhe për sigurimin e vaksinave të dozës së tretë, atyre booster përgjatë gjithë këtij viti dhe vitin tjetër”, tha Manastirliu.

Ekspertët, pro aplikimit të dozës së tretë sidomos tek ata që janë vaksinuar me Coronavac

Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho shprehet për Citizens Channel se ai personalisht e rekomandon marrjen e një doze të tretë sidomos tek ata qytetarë që janë vaksinuar fillimisht me dy doza Coronavc.

“Personalisht kam qenë mbështetës i aplikimit të të paktën një doze vaksine cilësore AstraZeneca ose Pfizer, për të gjithë qytetarët që janë vaksinuar me Coronavac. Ishte një studim i kryer në një nga vendet e Azisë Juglindore që tregoi se kombinimi i një doze Coronacac me një dozë Astrazeneca kishte dhënë efekte pozitive në ato vende ku ishin aplikuar, Tajlandë ose Malajzi…Unë të gjithë personave që më ndjekin, të gjithë personave që më marrin mendim, u kam rekomanduar kryerjen e një doze vaksine cilësore nëse janë vaksinuar me Coronavac.”

Të njëjtin mendim ndan edhe epidemiologu Ilir Alimehmeti. Ai sjell rastin e Kinës ku Coronavac është aplikuar masivisht por edhe të Turqisë së cilës Shqipëria i ka blerë një sasi të konsiderueshme vaksinash.

“…Për sa i përket studimet e bëra deri më tani, vetë prodhuesit e vaksinës Coronavc publikuan të dhënat e fazës së parë dhe fazës së dytë klinike për moshat 60 vjeç dhe lart. Në informacionin që ata japin, thonë që në 6 muaj, vetëm 17.8 për qind e kësaj popullate ka akoma antitrupa mbi nivelin e pranuar me konsensus si mbrojtës.  Do të thotë që 82.2 % nuk ka. Dhe, si rrjedhojë ata kanë dhënë dozën e tretë, dhe lajmi i mirë është që brenda një jave pas dozës së tretë, 100 për qind e të vaksinuarve zhvillojnë antitrupa dhe kjo është arsyeja pse Kina zyrtare rekomandon dozën e tretë tek personat mbi 60 vjeç. Mos të harrojmë që edhe Turqia, me të cilën ne ngjasojmë shumë për nga strategjia e vaksinimit, që prej 1 korrikut e ka ofruar dozën e tretë tek të vaksinuarit me Coronavac mbi 50 vjeç. Dhe e kanë ofruar me zgjedhje, Pfizer ose Coronavac. Sepse të mos harrojmë patjetër që studimi kinez flet për një dozë të tretë Coronavac, por është akoma më mirë nëse këta persona bëjnë vaksinën Pfizer ose AstraZeneca.”

Për ata që e kanë kaluar koronavirusin, Alimehmeti nuk e rekomandon kryerjen e një doze të tretë.

Edhe mjeku shqiptar në Britaninë e Madhe, Adrian Fandi thekson se imuniteti natyror është ai që qëndron më gjatë krahasuar me atë që përfitohet nga imunizimi me vaksinë.

“Një pjesë e madhe e popullsisë e ka kaluar në mënyrë asimptomatike Covid-in dhe ata nuk e kanë ditur. Një pjesë e mirë e tyre janë edhe të vaksinuar. Kështu që kjo pjesë e popullsisë që e ka kaluar sëmundjen ka një imunitet natyror më të qëndrueshëm,” thotë ai për Citizens Channel.

Megjithatë, Fandi thekson se persona të shëndetshëm që nuk kanë prova se e kanë kaluar virusin, duhet të vaksinohen pasi sjellja e virusit ndryshon nga njeriu në njeri.

“Shumë të shëndetshëm janë prekur nga virusi, disa kanë humbur edhe jetën, disa e kanë kaluar mjaft keq e me pasoja. Doza do të rekomandohej tek ata që nuk e kanë kaluar akoma sëmundjen.”

Rasti i Maqedonisë së Veriut

Maqedonia e Veriut nisi të aplikojë dozën e tretë të vaksinës kundër koronavirusit nga 4 tetori. Pavarësisht llojit të vaksinës në dy dozat e para në RMV, aplikohet vetëm Pfizer si dozë e tretë.

Deri më 8 nëntor 2021, numri i personave të vaksinuar me dozën e tretë në Maqedoninë e Veriut është 43,376.

Egzon Ademi, asistent profesor në departamentin e Farmacisë dhe Biokimisë Analitike në Universitetin e Tetovës shprehet se është e rëndësishme që t’u qëndrohet rekomandimeve të Agjencisë Evropianë të Barnave dhe Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA si për dozën e tretë ashtu edhe për të tjerat.

“Autorizimet e tyre janë të bazuara mbi hulumtime shkencore që i kemi paraqitur shpesh në media këto dy vote. Veçse doza e tretë ka treguar se do t’i n ndihmojë kategoritë e theksuara në disa shtete ku aplikohet si në Izrael, Britani, Singapor, gjithashtu duhet të bëhet vetëm me vaksinë të autorizuar nga EMA/FDA dhe të jetë me teknologji mARN.”

Ademi argumenton se këto vaksina kanë treguar efikasitet të lartë në terren dhe sipas tij, doza e tretë duhet të ketë efikasitet më të lartë se dy të parat “pasi ky është standard shkencor.”

“Rrjedhimisht qytetaret qe kane marre vaksina qe ende nuk i njeh EMA/FDA/OBSH, me dozën e tretë certifikata u njihet edhe në vendet që mbulohen nga EMA/FDA, kurse ne shqiptarët në Ballkan jemi të lidhur më shumë me vendet perëndimore.”

Rasti i Izraelit

Pas një studimi të bërë në shkallë kombëtare në Izrael rreth dozës përforcuese të vaksinës BNT162b2 (BioNTech, Pfizer) rezultoi se pas aplikimit të dozës së tretë, vihet re një reduktim në rrezikun relativ tek personat e infektuar apo në format e rënda të sëmundjes.

Në studim morën pjesë1,144,690 persona mbi 60 vjeç që i plotësonin kriteret për të marrë një dozë përforcuese dhe u ndoqën nga 30 korriku deri më 22 gusht 2021.

Rezultatet e këtij studimi tregojnë se 12 ditë ose më shumë pas marrjes së dozës përforcuese, zbulohet një ulje prej 95% në rrezikun relativ për infektim dhe një ulje mbi 10-fish në rrezikun e formës së rëndë të sëmundjes.

“Në lidhje me raportet e sigurisë, ky studim demonstron efektivitetin e dozës së tretë të vaksinës si në zvogëlimin e transmetimit ashtu edhe në format e rënda të sëmundjes. Ka indikacione që doza e tretë ka një potencial për të frenuar përhapjen e variantit Delta,” thuhet në përfundimet e studimit.

Duke komentuar studimin e bërë nga Izraeli, epidemiologu Alimehmeti sjell në vëmendje se bëhet fjalë për njerëz që nuk e kanë kaluar koronavirusin më parë.

“Po t’i marrim me radhë, të dhënat që na vijnë nga Izraeli për vaksinën Pfizer, tregojnë se pas gjashtë muajsh, kjo vaksinë, efekti i saj bie shumë.  Këtu jemi duke folur kujdes, për njerëz që nuk e kanë kaluar Covidin më parë. Pra për ata që e kanë kaluar, i kanë bërë të dyja dozat dhe kemi shumë të tillë, do të thoja që nuk ka nevojë për një dozë të tretë. Këtu bëhet fjalë vetëm për njerëz që s’e kanë kaluar, të dokumentuar Covid-19.”

Alimehmeti shpjegon po ashtu të dhënat nga studime të bëra në vende të ndryshme, duhen vënë në kontekst, pasi sistemet shëndetësore ndryshojnë nga vendi në vend.

“Duhet marrë parasysh, për Pfizer e kemi parë që bie efektiviteti. A duhet vënë steka tek personat mbi 60 vjeç, më poshtë a më lart, kjo pastaj është çështje që ne duhet ta diskutojmë më shumë në varësi të riskut. Sepse e kemi parë që në Shqipëri për shkak se sistemi shëndetësor nuk është i krahasueshëm me Izraelin, me Anglinë, ne vdekjet i kemi edhe në mosha më të reja se 60 vjeç. Ndoshta kjo do ofruar kujtdo që ka dëshirë.”

Sesi do të jetë përgjigja imunitare që do të japin dozat e treta dhe sa do të zgjasë ajo, kjo mbetet për t’u parë në muajt në vijim. Mesa duket edhe pas marrjes së tre dozave, mundësia e infektimit ekziston.

“Kam pasur kolegë që janë infektuar pas dozës së tretë, natyrisht në gjendje të lehtë,” tregon mjeku Adrian Fandi.

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në udhëzimet e publikuara së fundmi thonë se disa persona me imunitet të komprometuar mund të kenë nevojë edhe për dozë të katërt të vaksinës.

Agjencia sugjeron se qytetarët mbi 18 vjeç që janë vaksinuar fillimisht me vaksinat e prodhuara me teknologjinë mARN, mund të marrin një dozë të katërt të paktën gjashtë muaj pas injektimit të dozës së tretë.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit