Home Forum Andi Bushati:...

Andi Bushati: ”Dhurata” provokative greke

71
0

Nga Andi Bushati

Provokimi grek për ta lënë Shqipërinë jashtë tubimit informal të Athinës, në përkujtim të 20 vjetorit të samitit historik të Selanikut, më shumë sesa për marrëdhëniet mes dy vendeve, na shërbeu për të kuptuar figurën qesharake që kemi në krye të shtetit.

Presidenti Begaj e ka refuzuar ftesën e kryeministrit Mitsotakis dhe si përfundim askush nga shteti shqiptar nuk do të jetë, as në darkë dhe as në takimin shumëpalësh që do të mbahet në përkujtim të një evenimenti që përcaktoi, dy dekada më herët, hartën e rrugës së Ballkanit perendimor drejt Evropës.

Në pamje të parë, Bajram Begaj edhe mund të thoshte “JO”, pasi ftesa greke ishte një shantazh i kamufluar. Po të shohësh përbërjen e të ftuarve, ku janë edhe Vuçiçi edhe Albin Kurti edhe kryeministri maqedon Kovaçevski edhe shefat e qeverive të Rumanisë, Bullgarisë dhe Kroacisë, përkrah presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, duket qartë se Athina ka thërritur qëndrat e rëndesës politike për çdo shtet. Në këtë kuptim, nëse dikush duhet të shkonte nga Shqipëria, ai duhet të qe Edi Rama.

Provokimi grek është se për shkak të gjendjes së tensionuar mes dy vendeve, pas arrestimit të Fredi Belerit, ata e kanë futur Ramën në listë të zezë. Ata kanë dashur ti japin një sinjal, se me urdhërimin e burgosjes dhe mbajtjen e kryetarit të zgjedhur të Himarës në burg, ai nuk mund të trajtohet si një lider i botës demokratike.

Pala greke edhe mund të ishte më protokollare dhe me e kujdesshme. Ata mund t’a kamuflonin përzgjedhjen e tyre me faktin se 20 vite më parë, në Selanik, delegacioni shqiptar kryesohej nga ish presidenti Moisiu, prandaj ata kishin ftuar tani pasardhësin e tij. Por, jo, grekët atëhere kur duan, dinë të jenë arrogantë deri në vrazhdësi. Mediat me burime nga pallati Maksimus nxituan ta bëjnë të qartë se Edi Rama po ndëshkohet për përdhosjen e shtetit ligjor në Shqipëri. Madje, madje, ata nuk u mjaftuan vetëm me lajme të infiltruara për shtypin, por vetë zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis doli për ta bërë të qartë se ftesa e munguar për kryeministrin Edi Rama ishte si pasojë e qëndrimeve për çështjen e Fredi Belerit.

Në këto kushte, një kryetar dinjitoz shteti i kishte të plota argumentat për ta prapësuar “dhuratën” provokative greke. Ai mund të bëhej serioz dhe të thoshte se në këto rrerhana qe i detyruar ta refuzonte ftesën. Nëse Athina e përcakton humorin e saj nga qefmbetjet politike edhe të drejta qofshin ato, Bajram Begaj, nuk duhet të kishte asnjë kompleks t’i përgjigjej me të njëjtën monedhë.

Por, fatkeqësia është se në këtë rast presidenti ynë nuk ka arsyetuar si shtetar, por si një lake i kryeministrit. Ky i fundit, pa denjuar ndoshta t’ia thotë as vetë, ka dërguar ndonjë këshilltar për t’ia komunikuar urdhërin se e ka të ndaluar të udhëtojë: “ti nuk mund të shkosh në këmbë të shefit”.

Prandaj në vend të një qëndrimi dinjitoz, i gjori Begaj, është dashur të gjejë një gënjeshtër që se beson as vetë. Ai i’u përgjigj grekëve që nuk shkonte në takim se e kishte axhendën të zënë.Pra se ai paskërsh më shumë punë edhe se presidenti i Serbisë, se kryeministri i Kosovës, Maqedoinisë, Kroacisë, Bullgarisë apo Rumanisë. Qesharake deri në ulërimë.

Njësoj si në rastin e ardhjes së Klintonit (Shiko komentin video poshte), kur Rama as nuk e përfilli, harroi ta përfshijë dhe në protokollin e rëndësishëm dhe presidenca u detyrua të shpikë një justifikim shëndetësor për mungesën në ceremoni.

Në logjikën e Ramës ai ka çuar një kukullën e tij në presidencë dhe kaq i del e i tepron për ta përdorur në mënyrën si po bën. Po me të njëjtën shpërfillje përbuzëse, kryeministri shkoi në mbeledhjen e përvitshme të OKB-së në vend të Begajt, duke prishur një regull të pashkruar të vendosur që në vitet 2000-jë, sipas të cilit, një vit shkon kreu i qeverisë e më pas kreu i shtetit. Rama as u merakos shtatorin e vjetshëm se radha i takonte Bajrom Begajt. Po ashtu ai e ka detyruar presidentin ti thotë jo ftesës së përbashkët të marrë nga princi i Emirateve të Bashkuara Arabe për samitin e klimës që do të mbahet në nëntor. Pra shkurt, ka vendosur ta trajtojë presidentin si leckë, ashtu siç bën me çdo institucion në këtë vend.

Prandaj dhe provokimi grek, për të ftuar në përvjetorin e 20 të samitit të Selanikut, Begajn dhe jo Ramën, duke dashur të tregojnë përgjegjësinë personale të kryeministrit në çështjen Beleri, nuk na dha ndonjë lajm të madh.

Të gjithë e dinim që qeveria greke dhe personalisht Mitsotakis e ka me Ramën. Por ky provokim, sado i poshtër dhe jo protokollar qoftë, na shërbeu për diçka: për të kuptuar se kemi një klloun në vend të presidentit. Një vit më parë u tha se në krye të shtetit u zgjodh një gjeneral, por tani askush nuk dyshon se aty gjendet një ushtar i autokratit.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit