Home Sporti Anëtari i Kom...

Anëtari i Komiteti Ekzekutiv, Abdyl Kuriu: Ja pse reforma e FSHF te moshat do sjellë rritje të cilësisë

81
0

Komisioni i Posaçëm për Reformimin e Rregulloreve të FSHF i krijuar me vendim të Komitetit Ekzekutiv në muajt e parë të këtij viti ka punuar për muaj me radhë për gjetjen e një formule, e cila të garantojë arritjen e qëllimeve strategjike të FSHF, pra masivizim, edukimi, infrastruktura, futbolli vajzave, mirëqeverisja etj.

Pasi ka studiuar dhe rishikuar rregulloret/kodet/udhëzimeve e FSHF-së në çdo nivel, duke u konsultuar me anëtarët dhe palët e interesuara, komisioni hartoi një reformë në formatin e aktiviteteve futbollistike të moshave.

Kryetari i këtij komisioni, Abdyl Kuriu shpjegon në një intervistë se anëtarët e komisionit u angazhuan në një proces shumë serioz dhe dinamik ku në tre muaj ka zhvilluar konsultime të vazhdueshme me dhjetëra ekspertë e drejtues të futbollit të bazës në të gjithë vendin, takime intensive me presidentë dhe drejtues klubesh të të gjitha niveleve.

Sipas Kuriut, përmbajtja e kësaj reforme është jetike për të ardhmen e futbollit shqiptar dhe kjo është një nga reformat më të thella që kemi kryer dhe sigurisht që do të japë efektet në jetën futbollistike të vendit.

Gjithashtu, Kuriu, njëkohësisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv, shpjegon se si do të funksionojnë skemat e kampionateve të moshave, por flet edhe për skemën e incentivimit financiar nga FSHF të lojtarëve të rinj që do të aktivizohen me klubet e Kategorisë së Parë, një tjetër vendim i rëndësishëm që pritet t’i japë më shumë hapësira elementëve të talentuar në klubet profesioniste.

– Z. Kuriu, Mund të na shpjegoni reformën e zhvilluar në futbollin e bazës nga FSHF?

– Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka ngritur në muajin mars një Komision të Posaçëm për Reformimin e Rregulloreve, që kishte për detyrë përcaktimin e një formule që do të garantojë arritjen e qëllimeve strategjike të FSHF, siç është masivizimi, edukimi, përmirësimi i infrastrukturës, futbolli i vajzave dhe mirëqeverisja. Një ndër proceset më të rëndësishme të këtij komisioni ishte reformimi i futbollit të bazës për meshkuj dhe femra si dhe përmirësimi i rregulloreve të organizimit të aktivitetit. Ky komision u angazhua në një proces shumë serioz dhe dinamik ku në tre muaj ka zhvilluar konsultime të vazhdueshme me dhjetëra ekspertë e drejtues të futbollit të bazës në të gjithë vendin, takime intensive me presidentë dhe drejtues klubesh të të gjitha niveleve. Ne arritëm të marrim idetë dhe ekspertizën më të mirë duke arritur në një bindje se përmbajtja e kësaj reforme është jetike për të ardhmen e futbollit shqiptar. Kjo është një nga reformat më të thella që kemi kryer dhe sigurisht që do të japë efektet në jetën futbollistike të vendit.

– Për të qenë më konkret, çfarë objektivash strategjikë ka kjo reformë?

– Duhet të theksoj se që në nisje të kësaj reforme, janë marrë në analizë shumë faktorë që kanë ndikim në produktin final. Një ndër këto janë ndryshimet e shumta demografike që kanë ndodhur në vendin tonë 30 vitet e fundit. Popullsia është e përqendruar shumë përreth kryeqytetit dhe qendrave të tjera urbane, ndërkohë që harta e klubeve profesioniste që plotësojnë kriteret për t’u licencuar si të tilla nuk përputhen me hartën e qendrave të mëdha demografike të vendit. Për të përmirësuar dhe rritur futbollin duhet që këto dy harta të përputhen më mirë. Kjo reformë synon që brenda një hapësire kohore 5 deri në 10 vite, ai që quhet klub profesionist apo akademi profesioniste t’i përkasë një komuniteti, të zhvillojë aktivitetin pranë komunitetit të tij dhe të ketë mbi 30% të lojtarëve të ekipit të parë të federuar nga komuniteti dhe ekipet zinxhir. Ekipet e moshave duhet të kenë së paku 70% të lojtarëve të federuar nga komuniteti ku bëjnë pjesë. Ky proces nuk përjashton asnjë klub apo akademi që të përmirësojë infrastrukturën dhe organizimin për të arritur të marrë statusin profesionist dhe më pas të bëhet pjesë e garave kombëtare. Është e qartë se disa klube profesioniste që objektivisht nuk plotësojnë kushtet e licencimit do të zbresin në kampionatet rajonale dhe disa akademi serioze do të kthehen në akademi me status të veçantë duke garuar në garat profesioniste.

– Cilat kampionate prek më shumë kjo reformë?

– Kampionatet elitare të moshave. Kjo ishte një ndër pikat kryesore të misionit të komisionit tonë. Nuk do të ketë më kampionate me grupe veri e jug, por vetëm një grup me 10 skuadra për Abissnet Superiore dhe 14 skuadra për Kategorinë e Parë.

Parimi bazë është që kampionatet elitare duhet të jenë atribut i klubeve profesioniste dhe akademive me status të veçantë. Kemi pasur probleme në kampionatet e moshave ku shumë akademi pa infrastrukturën bazë dhe organizimin e duhur kanë qenë pjesë e garave elitare, duhet ta pranojmë. Akademitë me status të veçantë janë akademitë e licencuara nga Komiteti Ekzekutiv dhe që brenda një periudhe nga 5 deri në 10 vite do duhet të shndërrohen në klube profesioniste. Shpërndarja e pafundme e lojtarëve cilësorë ka pasur ndikim edhe te cilësia e kampionateve të moshave dhe shproporcionalitet cilësie brenda shumë skuadrave duke humbur shumë element të perspektivës. Qendrat kryesore të prodhimit dhe rritjes së lojtarëve të rinj në vendin tonë duhet të jenë klubet profesioniste ashtu siç ndodh në çdo vend europian. Nuk ka asnjë rrugë tjetër. Ne duhet të vinim në këtë fazë dhe sot jemi këtu. Sigurisht që procesi tranzicionit mund të jetë i vështirë për dikë në fillim, por ekzistojnë të gjithë mekanizmat që gjithsecili të rrisë standardet dhe të bëhet pjesë e garave elitare.

– Thuhet se kjo reformë ka favorizuar klubet profesioniste dhe ka penalizuar akademitë e futbollit?

– Reforma ka pasur në qendër të saj futbollistin dhe kjo reformë ka favorizuar vetëm mirërritjen e lojtarëve të rinj në të gjithë vendin. Falë kësaj reforme në të njëjtën kohë mbrohet edhe puna që bëjnë klubet për lojtarët e rinj si dhe ndihmon në përqendrimin e elementëve cilësorë në klubet profesioniste ku edhe i garantohet rrugëtimi i tyre futbollistik. Duhet thënë se në 240 akademi që janë sot në Shqipëri, mbi 95% e tyre nuk kanë infrastrukturën e duhur për të marrë pjesë në kampionatet elitare të moshave së bashku me klubet profesioniste që kanë një bazë të mirë të siguruar. Vendosja e gjërave në vendin e duhur dhe rrugën e duhur nuk është kurrsesi diskriminim, por rregullim.

– U miratua nga Komiteti Ekzekutiv një skemë incentivimi për të rinjtë që luajnë në Kategorinë e Parë. Mund të na e shpjegoni se çfarë është kjo skemë?

– Kjo skemë incentivimi është padiskutim një mbështetje e madhe për të rinjtë, ashtu si edhe për klubet që aktivizojnë element të rinj. Nëse një skuadër e Kategorisë së Parë do të aktivizojë lojtarë të moshës 16-21 vjeç, Federata Shqiptare e Futbollit do t’i paguajë klubit nga 270 deri në 450 minuta të luajtura nga kjo grup-moshë për një ndeshje. Klubet do të kenë mundësi të rikuperojnë pagat e dy-tre muajve nëse plotësojnë këtë minutazh aktivizimi të të rinjve në çdo ndeshje.

– Nuk mendoni se këto ndryshime do ta dobësojnë futbollin e bazës?

– Absolutisht jo, përkundrazi, këto ndryshime do ta forcojnë dukshëm atë dhe do të kemi një hov cilësor. Tek futbolli moshave tani do të kalojmë në një skuadër për çdo vit lindjeje. Ndodh për herë të parë në futbollin tonë që ne ndërtojmë skuadra me vitet çift, U-8, U-10, U-12 dhe U-14. Këtë sezon fillon për herë të parë Abissnet Superiore U-14. Vitin e ardhshëm do të nisi U-16 dhe në vitin 2024 do të kemi kampionatin U-18. Ristrukturimi i garave do të bëj edhe kampionatet rajonale më të forta. Jemi të sigurt se numri i skuadrave dhe lojtarëve do të rritet.

– Keni menduar si të zbusni kampionatizmin në moshat më të vogla?

– Kampionatet e moshave do të kenë një strukturë lojë dhe klasifikimi të ndryshëm nga më parë. U-14, ndryshe nga sa ka ndodhur deri më tani për këto mosha do të kemi klasifikim fair-play. Ndeshjet do të jenë të organizuara me tre pjesë nga 20 minuta. Pjesën e dytë do të luajnë lojtarët e stolit. Secila pjesë do të paraprihet nga 3 minuta ku do të zhvillohen penallti në lëvizje. Në Abissnet Superiore U-13 nuk do të ketë rënie nga kategoria për shkak të klasifikimit por pjesëmarrësi në U-13 Superiore përcaktohet nga Superiore U-19, ngjitet dhe zbret nga kategoria së bashku me të.

– Ka qenë futbolli i femrave pjesë e kësaj reforme që keni ndërmarrë?

– Edhe futbolli i femrave ka qenë pjesë e punës së komisionit. Ka ndryshuar struktura e kampionatit të Kategorisë Superiore, është zvogëluar numri i skuadrave dhe është riformuluar politika e incentivave për klubet. Në të njëjtën kohë është përfshirë edhe tarifa e rritjes së lojtareve si dhe janë përfshirë shumë kërkesa për futbollin e femrave në kriteret e licencimit të klubeve profesioniste. Janë ndryshime të mëdha pozitive që sigurisht do të ndikojnë në rritjen e nivelit të futbollit të femrave.

– Ka pasur reagime se kjo reformë ka diskriminuar disa akademi dhe klube. Sa qëndron kjo akuzë?

– Ne si komision i reformës nuk jemi marrë dhe nuk merremi me emra të përveçëm në procesin tonë të punës. Ne kemi formuluar politika, strategji dhe ristrukturime të kampionateve dhe rregulloreve. Listat e skuadrave pjesëmarrëse në kampionatet elitare i përcakton komisioni i licencimit pranë FSHF. Sigurisht që në këtë moment ristrukturimi do të ketë edhe hatërmbejtje e pakënaqësi duke parë që numri i skuadrave që do të marrin pjesë në kampionatet elitare zvogëlohet më shumë se dy herë. Por duhet të kuptojmë se kjo bëhet për të mirën e cilësisë së futbollit. Siç e thashë edhe më lart, kjo reformë i jep mundësi çdo klubi dhe akademie që të bëj përmirësimet e nevojshme infrastrukturore dhe organizative dhe të bëhet konkurrues për garat elitare. Ne nuk gjejmë asnjë arsye se përse futbolli i moshave në vendin tonë të jetë më pak konkurrues apo dinjitoz sesa vendet e rajonit. Falë kësaj reforme kjo situatë do të ndryshojë.

– Ndër kritikat e përmendura thuhet se përse nuk u njoftua më parë kjo reformë dhe u implementua menjëherë?

– Kjo çështje është diskutuar shumë nga komisioni i reformës, në takimet e shumta që ne kemi zhvilluar me ekspertë dhe përfaqësues të futbollit. Rruga graduale për ta zbatuar reformën në disa vite do jetë për çështjet që vërtet duan objektivisht kohë që të ndodhin. Po të kemi parasysh se tre-katër vite janë vërtet shumë për një lojtar të ri në rritje, janë jetike për të ardhmen e tij, është bërë zgjedhja e duhur nga organet vendimmarrëse për ta implementuar reformën e strukturës së kampionateve të moshave sa më parë të jetë e mundshme, duke filluar nga ky sezon.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Sporti

Me shumë nga Sport

Lajmet e Fundit

Te Fundit