Home Kultura Anna Frank, v...

Anna Frank, vajza që dëshmoi me shpirt të dlirë e penë të çiltër, fytyrën e vërtetë të mizorive të holokaustit

57
0

Nga Albert Vataj

Anna Franku ka hyrë në kujtesën e gjeneratave, si vajza që pa me sytë e saj, përjetoj zemërplasur, jetoi shpirtdërrmuar dhe dëshmoi çiltërsisht, mizorinë naziste, veçmas barrën e asaj urrejtjeje trazimplotë që u shndërrua në një nga masakrat më të përbindshme që makina gjakatare e Adolf Hitleri, ndërseu ndaj hebrenjve nëpërmjet një politike antisemite, që pikënisi me mohimin e të gjitha të drejtave dhe u finalizua me një nga barbaritë më të paprecedentat në historinë e luftës.

Ditari i Anna Frankut është një emblemë e rrëfimeve ngjethëse, një dritare e vogël prejnga ne pamë atë që u gërmush përbindshëm mbi një popull të pafajshëm, mbi një identitet që ngasi tërbimin e një paranojaku të etur për gjak dhe vdekje.

Anna Franku i bëri një shërbim të madh, përmes ditarit të saj, jo vetëm kujtimit të brezit të fëmijëve që patën fatin tragjik të përfundonin në kampet e përqendrimit, por edhe edukimit të brezave të tërë. E kush më mirë se sa zemra e saj e dlirë mund të lexonte më qartë atë që ndodhte përtej telave me gjemba. E kush më pafajshëm se sa ajo mund të përshkruante një nga padrejtësitë më të rënda që historia moderne njihte.

Anna Franku u lindi më 12 qershor 1929 në Frankfurt. Vajza gjermano-hebreje që në moshën katër vjeç e gjysëm jetoi në Amstërdam. Kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore dhe më 1940 Gjermania pushtoi Holandën, kohë kur filloi të aplikohej ligje anti-hebrenje, babai i saj, i frikësuar për familjen, bisedoi me disa persona më të cilët bashkëpunonte me një biznes që ai kishte, që ta vazhdonte biznesin në një vend sekret deri sa të përfundonte lufta. Ata shpresonin se lufta do të përfundonte së shpejti, por nuk ndodhi ashtu. Atyre iu desh të qëndrojnë 2 vite me radhë në vendin ku fshiheshin. Disa muaj përpara se familja Frank të fillonte të fshihej Ana mori si dhuratë një ditar për ditëlindje. Ajo e quajti ditarin e saj “Kiti” dhe shkruante në të gjithçka çka i ndodhte asaj dhe familjes së saj. Edhe pse Ana ishte një vajzë e re, ajo dinte të shkruante bukur dhe kishte një dëshirë të madhe që të bëhej shkrimtare.

Edhe pse askush nuk e di saktësisht se ç’ka ndodhi, pas dy vjet e gjysmë të fshehur, dikush u tregoi nazistëve për vendndodhjen e familjes Frank. Nazistët erdhën në vendin ku gjendeshin Frankët i morën ata dhe i dërguan në një kamp përqendrimi. Anna filloi ta dashuronte një djalosh me emrin Peter,ata filluan ta donin njeri-tjetrin por pas disa kohëve dikush nga shokët e Peterit i foli keq Peterit për Annën dhe që nga ajo ditë ata nuk u takuan më. Anna pati gjithashtu edhe një kontradiktë me të mëmën, por marrëdhënia e tyre i’u rikthe normalitetit.

Miep Gies mikeshë e familjes Frank e gjeti ditarin e Annës bashkë me një novelë, të cilën e filloi ta shkruante dhe e fshehu në një vend të sigurt, pasi shpresonte se ajo do të kthehej ta merrte pas përfundimit të luftës. Por fati i keq i dha të tjera rrjedhoja zhvillimit të ngjarjeve. Vdekja nuk kurseu fillimisht të ëmën e Annës, të motrën që vuante nga një sëmundje dhe e fundit ishte vetë Anna që nuk mbijetoi.

Otto Frank, babai i Anës, si i vetmi i shpëtuar, me sugjerimin e disa miqve të tij, lejoi që ditari i vajzës së tij të botohej. Kështu që ditari i Ana Frank u bë një ndër librat më të lexuar në botë. U përkthye dhe u botua në 70 gjuhë të botës. Shtëpia ku ishte fshehur familja Frank në Amsterdam, sot është e hapur për vizitorët, e mban emrin “shtepia e Anna Frankut”, ku tubohet rinia në emër të paqes.

 

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit