Çfarë ndodhi vërtetë në Nepal dhe përse shumë aludime mbi shkakun e kësaj katastrofe janë jobindëse?

Mediat e përshkruajnë atë që ndodhi në Nepal si një “përmbytje të dhunshme”, një “cunam” (në të vërtetë, jo!) ose, në përgjithësi, si një ngjarje të shkaktuar nga një tërmet. Të gjitha këto janë përshkrime që e paraqesin keq procesin që e gjeneroi atë.

Esenca që duhet kuptuar është kjo: fenomeni që me shumë gjasë shkaktoi katastrofën ishte një shembje akullnajore, e pasuar nga një rrëshqitje gjigante dheu/shkëmbinjsh.

Rikonstruksioni më i qëndrueshëm, i mbështetur nga gjeologu Dave Petley, duke u nisur nga imazhet satelitore të “Planet” të analizuara nga Dan Shugar, tregon se gjithçka mund të ketë nisur nga shembja e një akullnaje në lartësi të madhe, pranë kufirit midis Nepalit dhe Tibetit, në pellgun e Lhende Khola.

Shembja do të kishte shkaktuar një ortek gjigant shkëmbinjsh dhe akulli, i cili më pas do të ishte shndërruar në një rrjedhëp katastrofike të materialeve të copëzuara (debris flow), e aftë të përfshinte sasi të mëdha sedimentesh, uji dhe akulli gjatë përhapjes drejt zonave më të ulëta, derisa të derdhej në sistemin e Bhote Koshit, një rrjedhë ujore himalajane që buron në Tibet (ku quhet Poiqu) dhe përshkon Nepalin, përpara se të bashkohet me Sun Koshin.

Për sa i përket origjinës së vëllimit të jashtëzakonshëm të ujit të përfshirë, vetë Petley mbetet i kujdesshëm, sepse ky është një aspekt që duhet ende të hetohet. Një shpjegim i besueshëm përfshin një kombinim të akullit të shkrirë nga energjia e çliruar gjatë shembjes fillestare, ujit të bllokuar në sedimentet e përfshira gjatë rrugës dhe ujit të vetë lumit. Hipoteza e një GLOF-i, domethënë zbrazjes së papritur të një liqeni akullnajor, është marrë vërtet në konsideratë nga disa burime në orët e para (autoritetet nepaleze), por në momentin kur po shkruaj mbetet një hipotezë që duhet konfirmuar. Vetë Petley është i qartë se provat përfundimtare për një GLOF, deri më sot, mungojnë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Për të dhënë gjithsesi një ide mbi përmasat e ngjarjes, një vlerësim i parë i dhënë nga gjeologu Giovanni Crosta i Universitetit të Milanos-Bicocca flet për rreth 10 milionë metra kub borë dhe mbetje të përfshira në shkëputjen fillestare, të cilat kanë rënë për rreth 1 400 metra diferencë lartësie. Është e rëndësishme, megjithatë, të mos ngatërrohet ky vlerësim, i cili gjithashtu duhet konfirmuar, me vëllimin e ujit të një GLOF-i hipotetik, pasi bëhet fjalë për vlerësimin e materialit të përfshirë në shembje, ndërsa origjina e sasisë së jashtëzakonshme të ujit të vërejtur në zonat e poshtme ende mbetet për t’u sqaruar.

Në çdo rast, përcaktimi i ngjarjes thjesht si “përmbytje ose cunam” e përshkruan në mënyrën më të keqe të mundshme atë që ka ndodhur, sepse redukton një sekuencë komplekse procesesh në pasojën e saj përfundimtare. Vërshimi ndodhi në mënyrë të menjëhershme, pa një fazë paraprake të përmbytjes progresive që do t’i lejonte popullsisë të kuptonte rrezikun dhe të shpëtonte. Uji mbërriti me shpejtësi në zonat e ulëta si pasojë e shembjes dhe e rrjedhjes së mëvonshme të akullit, shkëmbinjve dhe sedimenteve. Kjo shpjegon gjithashtu pse kaq shumë njerëz u kapën në befasi.

Swiss Digital Mobile Reklama

Fenomeni, për më tepër, është krejtësisht i ndryshëm nga një cunam, i cili lind nga zhvendosja e papritur e një mase të madhe uji detar ose liqenor (zakonisht për shkak të një tërmeti nënujor ose të shembjes së një mase të shpatit brenda një pellgu ujor) dhe jo nga një rrjedhje materialesh të copëzuara përgjatë një rrjedhe lumore malore.

Ka pastaj edhe një aspekt veçanërisht interesant.

Ajo që në orët e para ishte identifikuar si një lëkundje tërmeti, një ngjarje me magnitudë 4,4 e lokalizuar nga USGS në territorin tibetian, më pas u riinterpretua: analiza e valëve sizmike me periudhë të gjatë e çoi USGS-në në përfundimin se ajo lëkundje ishte gjeneruar nga vetë rrëshqitja, me një magnitudë ekuivalente prej Mw 5,2, siç raportohet nga USGS dhe më pas u konfirmua nga INGV.

Pra, sekuenca që del nga analizat është e kundërta e asaj që ishte supozuar fillimisht: jo një tërmet që do të kishte shkaktuar rrëshqitjen, por vetë rrëshqitja që prodhoi sinjalin sizmik të regjistruar, ekuivalent me një ngjarje me magnitudë të momentit Mw 5,2. Një fenomen i përmasave të tilla është mjaft i rrallë ndër ngjarjet e rrëshqitjeve të dheut.

Një pikë referimi në sizmologjinë e rrëshqitjeve të dheut është studimi i Ekström dhe Stark, i botuar në Science në vitin 2013, i cili analizoi 29 rrëshqitje të mëdha dheu teleseizmogjenike, të regjistruara nga rrjeti global sizmik midis viteve 1980 dhe 2012, duke treguar se ngjarjet më të mëdha mund të prodhojnë sinjale sizmike të dallueshme në shkallë planetare.

Mendoni se ngjarja më e fuqishme e kësaj serie, shembja e faqes së malit Mount St. Helens në vitin 1980, gjeneroi ekuivalentin e një lëkundjeje me magnitudë 5,6, ndërsa një seri shembjesh në akullnajën Siachen, në Karakorum (pikërisht në të njëjtin rajon himalajan), prodhoi sinjale ekuivalente me magnituda midis 4,6 dhe 5,1. Ngjarja e djeshme vendoset kështu në këtë klasë shumë të kufizuar fenomenesh të jashtëzakonshme.

Arrijmë tani edhe te çështja klimatike, një tjetër temë që pashmangshmërisht është në qendër të “diskutimit”.

Të atribuosh ngrohjes globale shkakun e drejtpërdrejtë të ngjarjes mbetet një thjeshtim që gjendja aktuale e njohurive tona nuk na lejon ta mbështesim me siguri absolute. Megjithatë, ngrohja globale po ndryshon kushtet mjedisore dhe gjeomorfologjike brenda të cilave këto ngjarje mund të ndodhin.

Rritja e temperaturave atmosferike, në fakt, po e transformon gradualisht kriosferën himalajane, duke favorizuar tërheqjen e akullnajave, zgjerimin e liqeneve akullnajore dhe, në kushte të caktuara, rritjen e rreziqeve që lidhen me GLOF-et dhe me paqëndrueshmërinë e shpateve. Ky është i njëjti zinxhir procesesh i përshkruar në një rishikim shkencor të botuar në janar 2026 në “Natural Hazards”, kushtuar pikërisht rajonit Himalaje–Karakorum.

Kësaj i shtohet edhe ajo që përshkruhet në një artikull të botuar në dhjetor 2025 në “Nature Communications”, i cili ka evidentuar një rritje të dukshme të frekuencës globale të GLOF-eve që nga vitet 1980, me një marrëdhënie të vonuar prej rreth 20 vjetësh në raport me rritjen e temperaturës globale.

Të pranosh se ndryshimi klimatik po i bën disa prej këtyre fenomeneve më të mundshme ose më të rrezikshme mbetet e vlefshme edhe pa ia atribuar atij çdo rrëshqitje të vetme dheu. Dhe përpara se të diskutojmë për klimën, do të ishte veçanërisht e arsyeshme të kuptonim se çfarë ka ndodhur realisht.

Ky është ndryshimi themelor midis shpjegimit pse një rrëshqitje ndodhi pikërisht në atë moment dhe kuptimit se si dhe pse po ndryshon konteksti mjedisor në të cilin ajo rrëshqitje ndodh. Janë dy pyetje të ndryshme dhe ngatërrimi i tyre çon lehtësisht në përfundime të gabuara në të dyja drejtimet.

Tragjedia e ndodhur në Nepal, bazuar në njohuritë aktuale, mund t’i atribuohet shembjes së një akullnaje në lartësi të madhe, e cila kulmoi me një rrëshqitje dheu të aftë të gjeneronte sinjalin e vet sizmik dhe me një rrjedhje katastrofike uji, akulli dhe mbetjesh përgjatë luginës.

Një sekuencë procesesh akullnajore, hidrologjike dhe gjeomorfologjike, shumë më komplekse sesa një fjalë e vetme si “cunam”, “përmbytje” ose “tërmet”.

Fabio De Bunker/ Përgatiti: Selim Kurti

Situata aktuale

Tëdhënat e fundit nga operacionet e emergjencës në rajonin kufitar mes Nepalit dhe Tibetit tregojnë shkallën e plotë të shkatërrimit të shkaktuar nga reshjet extreme dhe rrëshqitjet masive të dheut.

Numri i viktimave të konfirmuara ka arritur në mbi 160 persona, me trupa që vazhdojnë të nxirren nga masivët e dheut dhe baltës.

Ndodhen ende midis 800 dhe 1,000 numri i personave të të zhduk, përfshihen me qindra banorë lokalë si dhe grupe turistësh të huaj që ndodheshin në itineraret malore.

Dhjetëra të lënduar po marrin ndihmë mjekësore në spitalet rajonale, me shumë raste me dëmtime të rënda fizike.

Qarku Gyirong dhe aksi kufitar përgjatë lumit Bhote Koshi, ku uji doli nga shtrati duke marrë përpara ura, ura varëse dhe segmente të tëra rrugore.

Fshatra të tërë rreth zonave malore janë mbuluar plotësisht nga dherat, ndërsa dhjetëra ndërtesa private dhe bujtina janë shembur ose dëmtuar nga rrjedha e baltës.

Aksi kryesor që lidh Nepalin me rajonin e Tibetit është bërë i pakalueshëm, gjë që vështirëson furnizimin me ushqime dhe mjete të nevojshme.

Mbi mijëra pjesëtarë të forcave të ushtrisë, policisë dhe ekipeve të emergjencave civile nga të dyja anët e kufirit janë angazhuar në terren.

Përdorimi i helikopterëve është i domosdoshëm për evakuimin e njerëzve të izoluar në lartësi, pasi rrugët tokësore janë krejtësisht të bllokuara.

Mot i paqëndrueshëm dhe rreziku i rrëshqitjeve të reja po pengojnë ritmin e ndërhyrjes me mjete të rënda.

Tragjedia mbetet një nga goditjet më të rënda natyrore të viteve të fundit në këtë rajon kufitar, ku procesi i rindërtimit dhe gjetja e të zhdukurve do të kërkojë javë të tëra bashkëpunimi intensive.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?