Çiftet kineze nuk mund të martohen nesër, çfarë përfshin urdhri i ri
Kina u ka kërkuar çifteve që të shtyjnë ceremonitë e dasmave nesër dhe të zvogëlojnë numrin e funeraleve, për të parandaluar përhapjen e virusit kinez.
2 shkurti konsiderohet si një datë me fat për ceremonitë e dasmave këtë vit sepse sekuenca e numrave ‘02022020‘ është një palindromë, që do të thotë se lexohet njëlloj edhe po ta nisësh leximin nga fundi.
Ankesa erdhi pasi numri i vdekjeve nga shpërthimi i koronavirusit u rrit në 259 me numrin e përgjithshëm të rasteve në 11.946 në të gjithë botën.
“Kur regjistrimet e martesave janë shpallur ose premtuar për 2 shkurt të këtij viti, ju këshillohet që ta anuloni atë dhe t’ua shpjegoni situatën të tjerëve”, thuhet në një deklaratë të ministrisë së çështjeve civile.
Pekini, Shanghai dhe qytete të tjera kishin vendosur më herët që të ofrojnë shërbime për regjistrimin e martesave në gjendjet civile në këtë datë, pavarësisht se bien për të dielë kur zyrat zakonisht mbyllen.
Ministria tha se do të ndalonte përkohësisht shërbimet e këshillimit për martesë dhe i kërkoi publikut të mos mbajë bankete martese.
Urdhri i ri përfshin dhe funeralet, për të cilat është kërkuar që të mbahen në një ‘mënyrë të thjeshtë dhe të shpejtë për të shmangur tubimet e njerëzve’ dhe kufomat e viktimave të koronavirusit duhet të digjen sa më shpejt që të jetë e mundur.
Stafet që merren me funeralet duhet të mbajnë veshje mbrojtëse dhe të kryejnë kontrolle të temperaturës për të shmangur rrezikimin e infeksionit, thuhet më tej në deklaratë.
Kina ka prezantuar kufizime drastike të udhëtimit dhe e shtyu fundin e pushimit të Vitit të Ri Lunar, kur qindra miliona njerëz udhëtojnë nëpër të gjithë vendin për të vizituar familjet e tyre.
KOHA JONË SONDAZH

