CNN: Afro 1.2 miliardë njerëz në mbarë botën jetojnë me çrregullime mendore, rritja mbetet alarmante

Mes krizave botërore në rritje, çrregullimet mendore janë rritur ndjeshëm në nivel global. Jordan Lye/Moment RF/Getty Images

Kristen Rogers, në një analizë të zgjeruar për CNN, raporton se një studim i ri ka zbuluar se afro 1.2 miliardë njerëz në mbarë botën kanë vuajtur nga çrregullime mendore gjatë vitit 2023, duke shënuar një rritje alarmante prej 95.5% krahasuar me vitin 1990.

Rritjet më të mëdha janë konstatuar tek ankthi dhe depresioni, të cilat rezultojnë edhe çrregullimet më të përhapura në vitin 2023. Në vend të tretë renditet një kategori e gjerë çrregullimesh të personalitetit, të cilat nuk shoqëroheshin me çrregullime të tjera mendore apo me varësi nga substancat.

Studimi, i publikuar të enjten në revistën The Lancet, evidenton gjithashtu mënyrën sesi 12 çrregullime mendore ndryshojnë sipas moshës, gjinisë, vendndodhjes dhe faktorëve socio-demografikë në 204 vende dhe territore të botës. Autorët paralajmërojnë se “po hyjmë në një fazë edhe më shqetësuese të përkeqësimit të barrës globale të çrregullimeve mendore”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Dr. Damian Santomauro, autori kryesor i studimit, deklaroi se ishte “sinqerisht i tronditur nga përmasat” e fenomenit. “Ka shumë faktorë që ndikojnë dhe është e vështirë të veçohen të gjithë. Përballimi i këtyre faktorëve kërkon lidership kolektiv global”, u shpreh ai. Santomauro është profesor i asociuar në Shkollën e Shëndetit Publik në University of Queensland.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndër çrregullimet e analizuara përfshihen: çrregullimi bipolar, skizofrenia, çrregullimi i spektrit të autizmit, ADHD-ja, anoreksia, bulimia, distimia, çrregullimet e sjelljes dhe paaftësitë intelektuale zhvillimore me shkaqe të panjohura. Distimia përkufizohet si një formë kronike, por më e lehtë e depresionit, e njohur edhe si çrregullim depresiv persistent. Ndërsa çrregullimet e sjelljes prekin kryesisht fëmijët dhe adoleshentët, duke u manifestuar me modele të vazhdueshme sjelljeje agresive dhe sfiduese.

Studiuesit konstatuan rritje në të gjitha 12 kategoritë e çrregullimeve mendore. Ankthi është rritur me 158%, ndërsa depresioni me 131% krahasuar me vitin 1990. Megjithëse anoreksia, bulimia dhe skizofrenia rezultojnë më pak të zakonshme, ato mbeten larg të qenit të rralla, me rreth 4 milionë, 14 milionë dhe 26 milionë raste respektivisht në vitin 2023.

Shumica e çrregullimeve mendore rezultuan më të përhapura tek femrat. Megjithatë, autizmi, çrregullimet e sjelljes, ADHD-ja, çrregullimet e personalitetit dhe paaftësitë intelektuale të pashpjegueshme ishin më të zakonshme tek meshkujt.

Studimi ndihmon gjithashtu në kuptimin e ndikimit që pandemia e Covid-19 ka pasur mbi shëndetin mendor global. Edhe përpara pandemisë, normat e ankthit dhe depresionit ishin në rritje, por kriza pandemike e përshpejtoi ndjeshëm këtë tendencë. Depresioni vazhdoi të rritej dhe nuk u rikthye më në nivelet para pandemisë, ndërsa ankthi arriti kulmin dhe mbeti në nivele të larta edhe gjatë vitit 2023.

Paul Bolton, shkencëtar i lartë në departamentin e shëndetit mendor në Johns Hopkins Bloomberg School of Public Health, vuri në dukje se raportimi i pamjaftueshëm mbetet një problem i njohur në studimet mbi sëmundjet mendore. Megjithatë, ai theksoi se këto vlerësime “janë më të mirat që kemi dhe ndoshta më të afërtat me realitetin global”.

Hulumtimi bazohet në të dhënat e Studimit Global të Barrës së Sëmundjeve, Lëndimeve dhe Faktorëve të Rrezikut (GBD) për vitin 2023, i udhëhequr nga Institute for Health Metrics and Evaluation në University of Washington. Ky konsiderohet projekti më i madh dhe më gjithëpërfshirës në botë për matjen e gjendjes së shëndetit publik dhe financohet kryesisht nga Bill & Melinda Gates Foundation që prej vitit 2007.

Kulmi i krizës po zhvendoset tek të rinjtë
Çrregullimet mendore po shndërrohen gjithnjë e më shumë në një nga shkaqet kryesore të paaftësisë funksionale, me ndikim më të madh tek femrat dhe grupmoshat 15–39 vjeç. Sipas Santomauro-s, për herë të parë në historinë e studimit GBD, kulmi i barrës së çrregullimeve mendore është zhvendosur tek grupmosha 15–19 vjeç. “Historikisht, kulmi është vërejtur gjithmonë në moshën e mesme”, tha ai.

Dr. Robert Trestman, drejtues i psikiatrisë dhe mjekësisë së sjelljes në Virginia Tech Carilion School of Medicine, paralajmëroi se mosha e hershme është një periudhë tepër delikate për zhvillimin e trurit, aftësive sociale dhe inteligjencës emocionale. Çdo ndërprerje në këtë proces mund të ketë pasoja afatgjata.

Ekspertët theksojnë se një kombinim faktorësh pozitivë dhe negativë ka ndikuar në rritjen e numrit të diagnozave. Nga njëra anë, stigma ndaj sëmundjeve mendore është zvogëluar dhe njerëzit ndihen më të lirë të flasin hapur për problemet e tyre. Nga ana tjetër, faktorë si paqëndrueshmëria ekonomike, traumat, mungesa e kujdesit shëndetësor, konfliktet, luftërat, pasiguria ushqimore, dhuna në marrëdhënie, diskriminimi, izolimi social dhe kërcënimet mjedisore po e përkeqësojnë gjendjen globale të shëndetit mendor.

Kërkimi i ndihmës dhe përmirësimi i aksesit
Autorët e studimit paralajmërojnë se rritja dramatike e barrës së çrregullimeve mendore nuk është shoqëruar me zgjerim proporcional të shërbimeve të kujdesit psikologjik dhe psikiatrik. “Përgjigjja ndaj nevojave të shëndetit mendor të popullsisë globale, veçanërisht të grupeve më vulnerabël, është një detyrim, jo një zgjedhje”, shkruajnë ata.

Ekspertët rekomandojnë kërkimin e ndihmës profesionale përmes terapisë, mbështetjes psikologjike dhe, kur është e nevojshme, trajtimeve medikamentoze. Po aq të rëndësishme konsiderohen edhe faktorët e stilit të jetesës: ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik, gjumi cilësor, marrëdhëniet sociale, hobet dhe ruajtja e një ekuilibri më të mirë mes jetës dhe punës.

Përgatitit: Albert Vataj

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?