Fetarët meditojnë mbi kovidin: Të krishterë, myslimanë, hindu dhe budistë flasin për pandeminë
Muajt e pandemisë po rezultojnë muaj vuajtjesh dhe humbjesh, teksa viktimat e sëmundjes së koronës në planet po i afrohen shifrës 2 milionë.
Klerikët e katër grupeve më të mëdha fetare në botë thonë se këtë brengë shpirtërore secili mund ta lehtësojë nëse e pranon vuajtjen apo beson te perëndia.
Të krishterë, myslimanë, hindu dhe budistë ofrojnë pikëpamje se si besimtarët e tyre mund ta ruajnë shëndetin psikologjik në gjithë këtë fatkeqësi.
At Patrice Sonnier thotë: “Priftërinjtë në kisha janë aty për t’ju ngushëlluar, dëgjuar dhe shoqëruar. Si qënie ne na duhen raportet njerëzore, kontakti i syve, fytyrat, buzëqeshjet, dhe kur këto mungojnë, boshllëku nuk do të duket menjëherë por do të jetë aty. Kjo marrëdhënie nuk duhet humbur.”
Sheikh Latif Al-Khafaji, imam: “Jemi të gjithë të mërzitur me pandeminë që po na vret, që na pengon të mbajmë lutjet për funeralet, si normalisht. Por këtë mërzi e shëron durimi dhe dashuria jonë për Zotin.”
Virender Keertibhan, priest: “Kush beson në Zot dhe e konsideron atë më të lartin, nuk e ka frikë vdekjen. Çfarëdo që krijohet, edhe shkatërrohet. Ta ndajmë hidhërimin me viktimat, por fatin s’e ndryshojmë dot.”
“Besimi ynë, budizmi, nuk u mëson njerëzve të luten apo të kërkojnë shuarjen e virusit. Ne u mësojmë atyre të mos ua marrin jetën të tjerëve. Të gjithë do arrinin paqen shpirtërore po të mendonim se vdekjet nga kovidi-19 janë pasojë e karmës së personave, pra ata që vdiqën, në jetën e mëparshme, kanë vrarë ose dëmtuar dikë, dhe tani po maten me pasojat e veprimeve.”
Masat për parandalimin e përhapjes së kovidit-19 kanë bërë që shumë vende kulti të mbyllnin dyert gjatë fundvitit të kaluar dhe të anulonin pelegrinazhet, ceremonitë apo ritet e veçanta.
Sheikh Latif Al-Khafaji: “Në Irak, ndoqëm udhëzimet e ajatollahut dhe të Komitetit Shëndetësor, duke mos kryer asnjë ceremoni për një kohë të gjatë, për të mbrojtur njerëzit.”
At Patrice Sonnier: “Kisha ka parimin se mbetet një vend mikpritjeje, ndaj ka rëndësi që të mbetemi hapur për të mirëpritur ato familje që humbën të dashurin e tyre, pa i shoqëruar dot deri në fund.”
Shumë kisha, xhami, sinagoga dhe tempuj vazhdojnë t’i transmetojnë meshat e tyre nga interneti, të sensibilizuar me sëmundjen që ka infektuar mbi 93 milionë veta në botë.
KOHA JONË SONDAZH

